E shtunë, 28 Nëntor 2026 Takohemi N'vizion deri në 18:00 Në vijim ora 18:00: Trashëgimtari Halef Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking përditësuar 13 minuta më parë
Video · Sociale

Patriotizmi përtej flamurit, sa kontribuojmë për Shqipërinë çdo ditë?

Në Ditën e Flamurit, kur krenaria kombëtare dhe simbolet kuqezi janë në qendër të vëmendjes, një pyetje rikthehet në diskutim: A jemi patriotë vetëm për festa, apo dashuria për vendin duhet të dëshmohet çdo ditë përmes veprimeve tona?

Kjo temë u diskutua në emisionin “Takohemi n’Vizion”, në Vizion Plus, nën moderimin e Fjodora Fjorës, ku të ftuarit ndanë këndvështrimet e tyre mbi patriotizmin, kontributin qytetar dhe raportin e brezit të ri me Shqipërinë.

Për Alketa Tragaj Myshketën, njohja e historisë është një nga mënyrat më të rëndësishme për të dashur vendin dhe për të qenë patriot.

“Mënyra më e mirë për të dashur vendin tënd dhe për të qenë patriotik, duhet të njohësh shumë mirë historinë e vendit tënd”, tha Myshketa.

Reklamë

Ndërsa sipërmarrësi Ilir Dushkaj e sheh patriotizmin si një përkushtim të përditshëm. Ai rrëfen edhe arsyet që e shtynë të rikthehej në Shqipëri 15 vite më parë, për të dhënë kontributin e tij, duke vënë në dukje ndryshimin në mënyrën se si vendi perceptohet sot nga të huajt.

“Të jesh patriot duhet ta kurosh çdo ditë. Unë jam kthyer në Shqipëri prej 15 vitesh, për të dhënë kontributin tim. Kam vënë re që para 14-15 vjetësh, shqiptarët nuk e tregonin me kaq shumë krenari që janë shqiptarë. Më vinte zor dhe mua para 15 vjetësh të ftoja miqtë e mi italianë sepse nuk kisha çfarë t’i tregoja. Por sot kur vijnë thonë ‘ëoë, pse kjo është Shqipëria’. Kjo të bën që të të rritet vetëvlerësimi”, tha Dushkaj.

Edhe konsulentja imobiliare Ester Subashi thekson se patriotizmi nuk lidhet domosdoshmërisht me qëndrimin në atdhe, por edhe me respektin ndaj tij dhe angazhimin për zhvillimin e vendit. Sipas saj, brezi i ri ka një rol të rëndësishëm në këtë drejtim.

“Shqipëria është një vend në zhvillim e sipër, duhet të jemi dhe ne pjesë që ta zhvillojmë Shqipërinë më shumë. Mendoj se ne duhet të qëndrojmë”, tha Subashi.

“Ne brezi i ri jemi patriot. Nuk është patriotizëm vetëm të qëndrosh në vendin tënd, duhet edhe ta respektosh. Të huajt e pëlqejnë Shqipërinë, jemi një vend mikpritës që i respektojnë të huajt. Nuk jemi një vend racist”, tha Subashi.

Dushkaj nënvizon se vështirësitë nuk e zbehin dashurinë për Shqipërinë, ndërsa rikthimin dhe investimet e shqiptarëve që jetojnë jashtë i konsideron një tjetër dëshmi të lidhjes me atdheun.

“Shqipëria është vend i mirë në tërësi, të jep një sensacion pozitiv. Patjetër që ka vështirësi. Të gjitha investimet janë bërë sepse ne duam këtë vend. Është patriotizmi që i bën shqiptarët që jetojnë jashtë që të rikthehen dhe të investojnë këtu”, tha Dushkaj.

Për Alketa Tragaj Myshketën, patriotizmi duhet të shkojë përtej ndjenjës dhe të shndërrohet në angazhim konkret, veçanërisht në mbështetjen dhe promovimin e talenteve të reja në të gjithë vendin.

“Nuk duhet të jetë vetëm ndjenjë, por kontribut dhe angazhim i përditshëm për të nxjerrë në pah të gjitha talentet e reja në të gjithë Shqipërinë”, tha Myshketa.

Diskutimi riktheu në vëmendje se dashuria për atdheun nuk matet vetëm me flamurin që valëvitet në festa, por edhe me mënyrën se si secili kontribuon, respekton dhe punon për vendin gjatë gjithë vitit.

Më shumë video

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.