Kisha Ortodhokse Autoqefale e Shqipërisë zhvilloi sot, më 28 Nëntor 2026, në Ditën e Pavarësisë, ceremoninë tradicionale të Dhoksologjisë së Flamurit, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.

Shërbesa u drejtua nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Joan, i cili në fjalën e tij përcolli mesazhe për atdhedashurinë, mirënjohjen ndaj atyre që ruajtën besimin dhe identitetin kombëtar, si dhe përgjegjësinë që çdo qytetar ka për të ardhmen e vendit.

Në fjalën e tij, Kryepeshkopi Joan theksoi se Dhoksologjia e Flamurit nuk është thjesht një traditë që përsëritet çdo vit, por një moment i rëndësishëm për të kujtuar vlerat dhe detyrimet që kemi ndaj Perëndisë dhe atdheut.

Joan
Joan

Ai renditi tri arsye kryesore përse Kisha e zhvillon këtë shërbesë: falënderimin ndaj Perëndisë për vendin e bukur që i ka dhënë popullit shqiptar, nderimin dhe mirënjohjen për klerikët dhe laikët që ndër shekuj ruajtën besimin, gjuhën dhe identitetin, si dhe përgjegjësinë për ta mbrojtur, ruajtur dhe zhvilluar Shqipërinë.

“Ne nuk jemi pronarët. Zotit i përket dheu dhe gjithçka që ndodhet në të. Kjo do të thotë se ne jemi thjesht kujdestarët e tij”, u shpreh Kryepeshkopi Joan, duke nënvizuar se çdo njeri ka përgjegjësinë të kujdeset për vendin dhe ta lërë atë më të mirë për brezat që vijnë.

Duke iu referuar Ungjillit dhe dialogut të Krishtit me apostull Pjetrin, Kryepeshkopi theksoi lidhjen e pandashme mes dashurisë për Perëndinë dhe dashurisë për njerëzit, duke kujtuar urdhërimin kryesor të krishterë: të duam Zotin me gjithë shpirt dhe të afërmin si veten tonë.

Sipas tij, dashuria e vërtetë për Perëndinë duhet të shprehet edhe përmes dashurisë për njerëzit dhe vendin ku kemi lindur e jemi rritur. Kjo dashuri duhet të bëhet nxitje për të kontribuar në lulëzimin dhe ndriçimin e Shqipërisë.

“Shqipëria është e të gjithëve, nuk është e një grupi as e një personi. Të gjithë ne kemi përgjegjësinë për ta ndriçuar vendin”, theksoi Kryepeshkopi Joan.

Në përfundim të fjalës së tij, ai u bëri thirrje të gjithëve që të jenë bashkë në përpjekjen për ta çuar vendin përpara, duke kujtuar se secili do të japë llogari për mënyrën se si e ka përmbushur përgjegjësinë e tij si kujdestar i kësaj toke.

“Le t’i lutemi Perëndisë që, për të gjithë punën dhe veprën tonë, kur të paraqitemi para Tij, të na thotë fjalët që janë në Ungjill: ‘Të lumtë, kujdestar dhe shërbëtor besnik! Hyr në gëzimin e Zotit tënd’”, u shpreh ai.

Mesazhin e tij, Kryepeshkopi Joan e përmbylli me urimet për të gjithë shqiptarët me rastin e Ditës së Pavarësisë, duke i ftuar të kontribuojnë së bashku për një Shqipëri më të mirë, më të ndriçuar dhe më të begatë.
Gëzuar 28 Nëntorin dhe për shumë vjet!

Joan Flamuri
Joan Flamuri

Fjala e Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Joan

“Në këtë ditë të shënuar historike për kombin tonë, Kisha kryen Dhoksologjinë e Flamurit.

Kjo është traditë që përsëritet vazhdimisht. Arsyeja pse përsëritet është se ajo ka shumë rëndësi. Dhe shumë gjëra të rëndësishme duhet të përsëriten që të nguliten në mendjen dhe zemrën tonë.

Kisha jonë e zhvillon Dhoksologjinë e Flamurit për disa arsye. E para, kjo Dhoksologji është një falënderim për Perëndinë që na ka dhënë një vend shumë të bukur, i cili i ka të gjitha gjërat.
Ndaj, është detyra jonë që këtë vend ta lulëzojmë.

Së dyti, në këtë ditë përkujtojmë të gjithë klerikët dhe laikët që në shekuj ruajtën besimin, gjuhën dhe identitetin e tyre nëpër kohë shumë të ashpra të historisë. Ne u themi atyre të gjithëve, faleminderit.

Dhe e treta, më e rëndësishmja, është që këtë vend të bukur që na ka dhënë Perëndia, kemi për detyrë ta mbrojmë, ta ruajmë dhe ta ndriçojmë. Ne nuk jemi pronarët. “Zotit i përket dheu dhe gjithçka që ndodhet në të”, thotë psalmisti. Kjo do të thotë se ne jemi thjesht kujdestarët e tij. Mund të jemi kujdestarë të mirë ose kujdestarë të këqij. Nëse e duam Perëndinë, do t’i duam edhe njerëzit, se është e pamundur të duash Perëndinë dhe të mos e duash vendin ku je lindur dhe je rritur. Një njeri që nuk e do Perëndinë, shpeshherë, ka vështirësi për të pasur dashuri edhe për njerëzit.

E përsërisim vazhdimisht një episod nga Ungjilli. Përpara se Zoti t’i jepte Pjetrit një mision shumë të rëndësishëm, që të kujdesej për grigjën e Tij, e pyet tri herë dhe i thotë “Simon, i biri i Jonait, a më do më shumë sesa këta të tjerët?” E pasi Pjetri i thotë: “Po, Zot, të dua”, Ai i thotë “Kullot shqerrat e mia.”

Kjo do të thotë se, nëse do ta duam Perëndinë, do ta duam mësimin e Tij dhe urdhërimet e Tij. Dhe urdhërimi kryesor është pikërisht ky: Ta duam Zotin me gjithë shpirtin tonë dhe ta duam të afërmin si veten tonë.

Nëse e kemi këtë në zemër, do t’i duam njerëzit, do ta duam vendin tonë. Edhe njerëzit që kanë dashuri do të bëjnë gjithçka për ta ndriçuar dhe lulëzuar vendin e tyre.

Le ta kemi gjithmonë ndër mend se ne nuk jemi pronarët, jemi kujdestarët, dhe një ditë do të japim llogari.

Le t’i lutemi Perëndisë që, për të gjithë punën dhe veprën tonë, kur të paraqitemi para Tij, të na thotë fjalët që janë në Ungjill. “Të lumtë, kujdestar dhe shërbëtor besnik! Hyr në gëzimin e Zotit tënd.”

Prandaj është detyra e gjithsecilit nga ne që këtë vend të bekuar ta ndriçojmë akoma më shumë, të jemi të gjithë së bashku dhe ta çojmë përpara. Sepse Shqipëria është e të gjithëve, nuk është e një grupi as e një personi. Të gjithë ne kemi përgjegjësinë për ta ndriçuar vendin.

Në këtë ditë të bekuar do të doja t’ju uroja juve të gjithëve gëzuar dhe për shumë vjet!”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb