
Pas përplasjeve të dhunshme gjatë protestës së zhvilluar në 114-vjetorin e Pavarësisë, forcat e policisë janë shpërndarë në disa zona të kryeqytetit, duke ndjekur këmba-këmbës protestuesit me qëllim shoqërimin e tyre.
Efektivët po vijojnë operacionin në rrugët dhe lagjet e Tiranës, pas akteve të dhunës të shënuara ndaj policisë dhe disa institucioneve shtetërore.
Protesta u shoqërua me hedhje gurësh, molotovësh dhe fishekzjarrësh, ndërsa policia ndërhyri me ujë dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës.
Deri më tani raportohet për 19 persona të lënduar, mes tyre efektivë policie, përfaqësues të mediave dhe protestues. Ende nuk dihet numri i personave të shoqëruar.