Thirrjeve të Sali Berishës për mobilizim kombëtar në protestën e 28 Nëntorit, Zylfie Haklaj i është përgjigjur me një apel për shqiptarët, duke u kujtuar se çfarë ndodhi në Tropojë në të njëjtën ditë, 26 vite më parë, kur një protestë e Partisë Demokratike degjeneroi në dhunë të armatosur. Pesë ditë më vonë, ajo do të humbiste edhe vëllanë e saj të katërt, Ylli Haklajn.
Teksa në Tiranë festa e Pavarësisë është shënjuar me sulme të dhunshme ndaj institucioneve dhe policisë, Haklaj, e cila prej vitesh kërkon drejtësi për vrasjen e katër vëllezërve të saj dhe akuzon Sali Berishën si urdhërues të tyre, paralajmëron për rrezikun e përsëritjes së tragjedive të së kaluarës.
“Drejtësi e vonuar nuk duhet të bëhet kurrë drejtësi e harruar. 28 nëntori 2000 mbetet një plagë e rëndë për Tropojën. Ngjarjet e dhunshme të asaj dite dhe vrasja e Ylli Haklajt më 3 dhjetor 2000 janë pjesë e një historie që ende kërkon drejtësi. Sot, përballë retorikës së ashpër politike, lind frika se Shqipëria mund të përjetojë një tjetër nëntor të zi. Prandaj qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të mos lejojnë që përplasjet politike të prodhojnë viktima të reja”, shprehet Haklaj.
Prej javësh, Sali Berisha është angazhuar në mobilizimin e strukturave të Partisë Demokratike në mbështetje të protestave studentore, pavarësisht se një pjesë e protestuesve kanë refuzuar përfshirjen e partive politike në tubimet e tyre. Që në fillim të nëntorit, kreu i PD-së thirri një protestë kombëtare në mbështetje të studentëve, duke përcaktuar si objektiv të përbashkët largimin e Edi Ramës.
Në ditët që i paraprinë 28 Nëntorit, Berisha intensifikoi thirrjet për pjesëmarrje në protestë, duke përdorur edhe simbolikën e flamurit kombëtar.
“Unë ftoj të gjithë shqiptarët me 28 Nëntor, të gjithë në Tiranë, të ngrihemi në lartësinë e flamurit”, deklaroi Berisha javën e shkuar
Katër ditë më vonë, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha deklaroi se “nuk mund të ketë kurrë paqe me diktaturën”, ndërsa 28 Nëntorin e cilësoi jo vetëm si ditë feste, por edhe si “ditë kushtrimi”.
Edhe këtë mëngjes, urimin për 114-vjetorin e Pavarësisë, kryetari i PD-së e shoqëroi me një tjetër thirrje për mobilizim: “Sot protestë kombëtare! Të gjithë në shesh!”.
Por thirrjes së tij, Haklaj i është përgjigjgur me një apel për të gjithë shqiptarët.
“Mos u bëni mish për top të askujt. Mos lejoni që politika t’ju përçajë, t’ju vërë kundër njëri-tjetrit dhe t’ju marrë jetën për interesa pushteti. Ismail Qemali ishte një dhe i tillë do të mbetet. Flamuri ynë nuk është simbol i gjakut, por i lirisë dhe bashkimit. Historia përsëritet kur tragjeditë harrohen dhe drejtësia vonon. Tropoja nuk harron, Shqipëria nuk duhet të harrojë. 28 nëntori është ditë e flamurit, jo ditë e gjakut”, shprehet ajo.
Çfarë ndodhi 26 vjet më parë në Tropojë?
Më 28 nëntor të vitit 2000, Tropoja u përfshi nga trazirat pas një proteste të Partisë Demokratike, e cila në atë kohë kundërshtonte rezultatin e zgjedhjeve vendore. Protesta në Bajram Curri degjeneroi në përplasje të armatosura me policinë dhe sulme ndaj institucioneve shtetërore, përfshirë komisariatin dhe gjykatën. Një person humbi jetën, ndërsa vetë Sali Berisha u ndalua përkohësisht nga policia.
Ngjarjet, të dokumentuara edhe në një raport të Ministrisë së Brendshme britanike të vitit 2002, shkaktuan reagimin e OSBE-së dhe Bashkimit Europian, të cilët dënuan dhunën dhe kërkuan që objektivat politike të ndiqeshin përmes mjeteve demokratike.
Në rrëfimet e saj ndër vite, Zylfie Haklaj ka deklaruar se dy vëllezërit e saj, Ylli dhe Hamdi Haklaj, kishin marrë pjesë në mbrojtjen e komisariatit të Tropojës gjatë ngjarjeve të 28 nëntorit dhe se më pas ishin akuzuar publikisht nga Sali Berisha.
Më 3 dhjetor 2000, Ylli Haklaj u vra, duke u bërë i katërti nga vëllezërit Haklaj që humbën jetën në konfliktet e përgjakshme në Tropojë.
Për vrasjen e katër vëllezërve, Halil, Shkëlqim, Fatmir dhe Ylli Haklaj, familja ka depozituar në SPAK një kallëzim penal ndaj Sali Berishës dhe 15 personave të tjerë. Familja akuzon ish-kryeministrin si organizator dhe urdhërues të vrasjeve, akuza që Berisha i ka mohuar.
Në prill të vitit 2023, Zylfie Haklaj dëshmoi për orë të tëra në Prokurorinë e Posaçme. Në tetor të këtij viti u raportua se SPAK kishte vendosur pezullimin e hetimeve për dosjen e Tropojës, vendim që familja Haklaj e ka ankimuar në Gjykatën e Posaçme.
Ndërkohë, protesta e këtij 28 Nëntori në Tiranë, e mbështetur nga Berisha, ka shënuar një bilanc prej 19 të lënduarish, mes të cilëve 6 efektivë policie, 4 përfaqësues të medias dhe 9 protestues.







Komente
Komento