VLORE- Skulptori i njohur, Mumtaz Dhrami ishte 36-vjeç kur, në vitin 1972, skaliti Monumentin e Pavarësisë, së bashku me Kristaq Ramën dhe Shaban Hadërin. Sot, në moshën 90-vjeçare, në Ditën e Flamurit, është rikthyer te vepra e tij, mes emocioneve, kujtimeve dhe mallit për dy kolegët e ndjerë.
“Emocionet janë një përzierje ndjenjash, malli për dy kolegët e mi që nuk i kam më, dhimbja për ta, edhe krenaria që një popull i tërë përkulet para veprës së rilindësve tanë. Para Ismail Qemalit, para gjithë luftëtarëve që sollën pavarësinë e Shqipërisë. Kështu që ndjenjat janë të ngatërruara, të mpleksura. Kujtimi për Kristaq Ramën, për Shaban Hadërin, për grupin e punëtorëve që e derdhën monumentin në bronz”, tha ai.
Skulptori i njohur kujton se idea e tij dhe kolegëve të tij, kishte qenë e ndryshme nga forma dhe kompozimi që ka monumenti actual. Të tre artistët, kishin qenë të detyruar t’I nënshtroheshin vullnetit të ish diktatorit Enver Hoxha
“Varianti i parë që u miratua nga Byroja Politike ishte një kompozim që s'ka të bëjë me këtë fare. Atëherë bëri vërejtje ai (Enveri). Te monumenti, thoshte ai, nuk ndjehet e ardhmja e revolucionit. Duhet të ndjehet që lufta për liri mbas kësaj vazhdoi më tej me partizanet. Domethënë nuk u ndal revolucioni. Vërejtjet e tij, e ndryshuan kompozimin në tërësinë e vet dhe vepra mori atë formë që ka tan., shton më tej Muntaz Dhrami, skulptor.
Tani pas kaq e kaq vitesh nga realizimi i veprës, rikonstruksioni i sheshit të flamurit, preku dhe bazamentin mbi të cilin qëndron skulptura. Një ndërhyrje që e shqetëson artistin
“Me rikonstruksionin e sheshit i janë shtuar monumentit disa elemente. Domethënë monumenti ngrihet mbi disa shkallë, gjë që ikën nga ideja. Fillimisht monumenti ngrihej nga një platformë që ishte dhe tribuna. Domethënë ngrihej nga toka. Tashi ai ngrihet mbi shkallë. Ato shkallët janë bërë në mënyrë arbitrare pa pyetur autorët, dy kishin vdekur, Kristaqi me Shabanin, por unë isha gjallë edhe mund të më pyesnin si autor. E keqja është që në këto gjëra nuk para pyesin!”, shton me tej.
Rikonstruksioni i Sheshit kushtoi 818 mln leke dhe u bë në 2023 nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. U projektua nga studioja XDGA dhe u zbatua nga kompania Gener 2. Pikërisht pas kësaj ndërhyrjeje, monumentit iu shtuan shkallët që kundërshtohen fort nga bashkautori i veprës.
Ngado që sillet biseda me skulptorin Dhrami, ajo përfundon sërish te kjo ndërhyrje
“Kam një peng, i shoh të huaja ato tre shkallët”








Komente
Komento