Një tjetër rast dhune është regjistruar gjatë protestës qytetare në kryqëzimin mes rrugës së Dibrës dhe rrugës së Barrikadave, ku forcat e policisë kanë hyrë në një godinë private dhe kanë arrestuar dhunshëm disa persona.
Gazetari Fatjon Gjinaj, në një raportim live, bëri me dije se në ambientet e godinës ndodheshin disa qytetarë, ndërsa brenda kishin hyrë edhe katër ose pesë efektivë të forcave ‘Shqiponja’.
Situata u tensionua më tej kur efektivët nisën të nxirrnin persona nga godina për t'i shoqëruar në automjetet e policisë. Sipas raportimit të gazetarit, deri në atë moment ishin shoqëruar tre persona, ndërsa janë dhunuar gra dhe vajza.
‘Janë duke dalë. Kanë shoqëruar dy persona. Ka një moment, kanë shoqëruar persona. Është një zonjë që bën rezistencë. Po, e shohim. E shoqërojnë, e fusin në automjetin e policisë’, raportoi gazetari Fatjon Gjinaj.
‘Ka revoltë, ka nervozizëm nga protestuesit të cilët kundërshtojnë veprimet e policisë’, tha Gjinaj gjatë transmetimit live.
Në një moment, teksa një prej grave kundërshtonte efektivët, nga turma u dëgjua thirrja: ‘Turp, turp ju qoftë, mjerë çunat’.
© SYRI.net