Nga Fatos Bytyçi- Reuters
Protesta e drejtuar nga studentët kundër qeverisë së Edi Ramës është përshkallëzuar në dhunë këtë të shtunë në Tiranë, në Ditën e Pavarësisë.
Demonstruesit kanë hedhur gurë dhe bomba molotov ndaj policisë, ndërsa efektivët janë kundërpërgjigjur me autobotë uji, gaz lotsjellës dhe plumba gome, raporton agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters.
Protestuesit janë mbledhur në kryeqytet duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, pas muajsh protestash kundër qeverisë. Sipas Reuters, disa prej demonstruesve, mes tyre edhe persona të maskuar, kanë qëlluar me gurë drejt një godine qeveritare dhe janë përpjekur t'i afrohen zyrës së kryeministrit, por janë ndaluar nga policia.
Pakënaqësitë ndaj qeverisë lidhen me akuzat për korrupsion, mungesën e vendeve të punës dhe cilësinë e dobët të arsimit. Protestat kanë përfshirë Tiranën që nga mesi i tetorit dhe janë shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit. Gjatë përplasjeve të mëparshme, demonstruesit kanë djegur godina qeveritare dhe banka, kanë thyer vitrina dyqanesh dhe kanë shkëputur gurë nga trotuaret për t'i përdorur kundër policisë.
‘Ka ardhur në majë të hundës: korrupsioni, varfëria, emigracioni’, është shprehur për Reuters Eralda Baze, 45 vjeçe, inxhiniere, e cila iu bashkua protestës të së shtunës.
Pjesëmarrës të tjerë kanë kërkuar një jetë më të mirë dhe përmirësim të shërbimeve shëndetësore.
Në protestën e kësaj të shtune, një prej banderolave mbante mesazhin: ‘Shqipëria nuk është në shitje’.
Qeveria e Edi Ramës mohon akuzat për korrupsion dhe ka bërë thirrje për dialog lidhur me kërkesat e protestuesve. Ndërkohë, në përpjekje për të frenuar pakënaqësitë, ka prezantuar masa të reja, mes tyre uljen e çmimit të karburantit dhe rritjen e ndihmës financiare për familjet në nevojë.
Sipas Reuters, trazirat përbëjnë sfidën më të madhe deri më tani për Edi Ramën, i cili drejton vendin që prej vitit 2013 dhe fitoi mandatin e katërt vitin e kaluar.
Shqipëria është përballur ndër vite me skandale korrupsioni, ndërsa analistët e konsiderojnë vendin një qendër ku grupet kriminale pastrojnë para të përfituara nga trafiku i drogës dhe armëve. Rama, nga ana tjetër, deklaron se qeveria e tij po lufton korrupsionin më shumë se kurrë.
Shqipëria është ndër vendet e Ballkanit që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe ka vendosur si objektiv vitin 2030 për anëtarësimin.
© SYRI.net