Nga rrogat e Tiranës tek banka në Ukrainë/ Si paratë e shqiptarëve mbajnë në këmbë Iute-n

Aktualitet

Publikuar: 28/11/2026

Nga rrogat e Tiranës tek banka në Ukrainë/ Si paratë e shqiptarëve mbajnë në këmbë Iute-n

Me një normë mesatare interesi mbi 32% dhe një portofol borxhesh që ka kapur shifrën rekord prej 114.5 milionë eurosh, qytetarët shqiptarë janë kthyer në burimin kryesor të parave për grupin estonez të mikrofinancës Iute Group. 

Pasqyrat financiare të paaudituara për nëntëmujorin e parë të vitit 2026 zbulojnë një paradoks të fortë. Ndërsa kompania me seli në Talin regjistroi humbjen e parë tremujore në historinë e saj — prej 1.24 milionë eurosh — për shkak të bllokimeve rregullatore në Moldavi dhe kostove të larta të obligacioneve në Evropë, ishte pikërisht tregu shqiptar që e mbajti grupin në këmbë, duke gjeneruar 17.7 milionë euro fitim operativ (EBITDA) në vetëm nëntë muaj.

Shifrat tregojnë se në një vend me pagat ndër më të ulëtat në rajon, Iute arriti të arkëtojë 37.4 milionë euro të ardhura në nëntë muaj — më shumë se në çdo shtet tjetër ku operon. Nga 46.1 milionë euro fitim operativ që prodhoi i gjithë grupi në pesë vende (përfshirë dy banka në Moldavi dhe Ukrainë), gati 40% (38.4%) erdhi vetëm nga xhepat e kredimarrësve shqiptarë. 

Nga rrogat e Tiranës tek banka në Ukrainë/ Si paratë e

Vetëm interesat e paguara në Shqipëri kapën vlerën e 28 milionë eurove, duke financuar jo vetëm shpenzimet e grupit në bursat e Frankfurtit dhe Baltikut, por edhe ngritjen e bankës së re Iute Bank Ukraine, e cila pritet të nisë punën tregtare në fillim të vitit 2027.

Gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, makina e huadhënies në Tiranë u shpërndau qytetarëve 120.9 milionë euro kredi të reja — rreth 494 mijë euro çdo ditë — duke miratuar 61.4% të aplikimeve, norma më e lartë e miratimit në të gjithë grupin. 

Pasi Banka e Shqipërisë ndërhyri për të ndaluar komisionet e fshehura mujore dhe uli tavanet e interesave (duke zbritur normën mesatare vjetore të Iute në vend nga 38.3% në vitin 2024 në 32.3%), kompania gjeti një mënyrë tjetër për të maksimizuar arkëtimet: zgjati afatet e shlyerjes deri në pesë vjet (60 muaj) dhe rriti tavanin e kredive deri në 600 mijë lekë (6 milionë lekë të vjetra).

Por kjo “minierë ari” ka nisur të japë shenjat e para të plasaritjes. Përpjekja e kompanisë për t’u dhënë shqiptarëve kredi gjithnjë e më të mëdha dhe me afate të gjata u përplas me realitetin e xhepave të qytetarëve. 

Ndërsa klientët e vegjël vijuan të paguajnë rregullisht, një pjesë e kredimarrësve të mëdhenj ndaluan pagesat, duke bërë që në Shqipëri të kalojnë në vonesë rreth 41 mijë euro këste çdo ditë dhe fitimi operativ i filialit shqiptar të bjerë për herë të parë nga 18.2 milionë euro në 17.7 milionë euro.

Këtë gabim e pranoi hapur vetë drejtori ekzekutiv i Iute Group, Tarmo Sild, në letrën drejtuar investitorëve. “Në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri, u rritëm shumë shpejt me shuma më të larta kredie për klient, dhe një numër i kufizuar kredish të mëdha dolën me vonesë përpara se kapaciteti ynë i arkëtimit të arrinte të përshtatej, gjë që rriti shpenzimet e provigjionimit,” shkroi Sild në prezantimin e pasqyrave të 9 mujorit para investitorëve.  

Për të ndalur humbjet, kompania ka nisur tashmë shtrëngimin e filtrave për kredinë në Tiranë, po riorganizon grupet e arkëtimit dhe ka paralajmëruar shkurtime të stafit dhe të shpenzimeve. Një sinjal i qartë se edhe tregu më fitimprurës i rajonit ka një kufi se sa borxh me interesa të larta mund të mbajë mbi supe.

/Kapitali.al