Një fotografi e siguruar nga terreni pas rrëzimit të një droni, që sipas raportimeve është përdorur për hedhjen e gazit lotsjellës gjatë protestës së 28 Nëntorit në Tiranë, ngre pikëpyetje mbi teknologjinë që disponon Policia e Shtetit për ndërhyrjet ndaj protestuesve.

Në pllakën elektronike të pajisjes dallohet emërtimi SPECRYS – Crystal Grating Technology, si dhe etiketa me numrin serial SN 304.

Emërtimi SPECRYS lidhet me një kompani izraelite, të identifikuar në raportime ndërkombëtare për prodhimin e sistemeve të shpërndarjes së gazit lotsjellës nëpërmjet dronëve.

Por kur është pajisur Policia e Shtetit me këtë teknologji? Nëpërmjet cilës kontratë është blerë, sa ka kushtuar dhe sa sisteme të tilla disponojnë forcat e rendit?

Mbi të gjitha, cili është protokolli që autorizon hedhjen e gazit lotsjellës nga ajri mbi një turmë qytetarësh, ku ndodhen edhe protestues paqësorë, gazetarë dhe kalimtarë?

Gjatë protestës së sotme, krahas përdorimit të autoboteve me ujë me lëndë irrituese dhe gazit lotsjellës, nga terreni është raportuar edhe përdorimi i dronëve, pa paralajmërim paraprak të qytetarëve.

Fotografia e pajisjes së rrëzuar përbën një pistë konkrete për të hetuar origjinën e kësaj teknologjie, mënyrën e prokurimit dhe kushtet e përdorimit të saj.

Policia e Shtetit duhet të sqarojë publikisht jo vetëm se me çfarë pajisjesh po ndërhyn ndaj protestuesve shqiptarë, por edhe mbi çfarë baze ligjore i përdor ato.

Burimet dhe dokumentacioni ndërkombëtar:

Studimi për përdorimin e dronëve me gaz lotsjellës në Gaza dhe Izrael, ku identifikohet kompania SPECRYS LTD:

The Gaza Strip and Israel

Raporti i plotë “Lethal in Disguise 2”, mars 2023:

https://phr.org/wp-content/uploads/2023/03/REPORT-Lethal-in-Disguise-2-PHR-INCLO-March-2023.pdf