Momente tejet të rrezikshme për jetën janë regjistruar gjatë protestës së 28 Nëntorit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku një efektiv policie është goditur me bombë molotov dhe ka marrë flakë. Efektivi është përfshirë nga flakët pas hedhjes së molotovit nga protestuesit e dhunshëm në drejtim të grupit të policisë. Menjëherë kanë ndërhyrë kolegët e tij, të cilët kanë arritur të shuajnë flakët.
Sulmi ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit me molotov duket se ka qenë i parapërgatitur si pjesë e një skenari kriminal të organizatorëve të protestës së dhunshme, me qëllim për të shkaktuar viktima, duke pëshkallëzuar dhunën dhe provokuar destabilizim. Dy orë pas incidentit të rëndë me punonjësin e policisë, në një prej grupeve të komunikimit të organizatorëve të protestës së dhunshme, bëhet thirrje “për të djegur të gjallë ndonjë polic”.
Në grupin e komunikimit jepen gjithashtu direktiva për akte dhune nëpër qytet, djegie, shkatërrim dhe plaçkitje ndaj institucioneve shtetërore, bizneseve private dhe policisë, por aspekti më i rëndë janë thirrjet për vrasje. Ndërkaq, pamjet e sulmit ndaj policit u ndanë nga kreu i grupit të PS, Taulant Balla, që e cilësoi sulmin si “tentativë për vrasje”. “Kjo është tentativë për vrasje! Polici merr flakë nga bombat molotov dhe prapë Policia e ka fajin?! Kjo është mjaft! Apo prapë të hënën do dalë dikush në gjykatën e Tiranës dhe do thotë nuk ka prova për dhunë”, shkruan Balla.










