Kupa e Botës në ski/ Lara Colturi renditet e 10-ta në garën e sllallomit gjigand në Killington

28 Nëntor 2026
19:27
Telesport
back button

Në pistën amerikane të Killington, u zhvillua mbrëmjen e së shtunës gara e sllallomit gjigand për femra në ski, gara e radhës e Kupës së Botës. Në këtë garë mori pjesë edhe skiatorja shqiptare Lara Colturi.

Ndryshe nga tri garat e mëparshme të këtij sezoni, ku gjithnjë ishte ngjitur në podium (një fitore e dy vende të dyta), këtë herë Colturi u klasifikua në vendin e 10-të, duke bërë një paraqitje dinjitoze.

Pas zbritjes së parë, zhvilluar në kushte të vështira prej mjegullës, Colturi dha kohën 1’03”23, duke qenë dy sekonda më e avashtë se Mikaela Shiffrin dhe u klasifikua në vendin e 13-të.

Në zbritjen e dytë, Colturi dha kohën 1’01”45, duke fituar disi terren karshi rivaleve të saj. Për pasojë, me kohën e përgjithshme 2’04”68, ajo u rendit në vendin e 10-të pas dy zbritjeve, garë e fituar nga Alice Robinson (2’03”02).

Duket se lodhja ndikoi në paraqitjen e skiatores kuqezi, që nuk arriti dot të rivalizojë mes më të mirave për podiumin, ku zbritja e parë ndikoi në rezultatin final. Të dielën ajo do të garojë në disiplinën e sllallomit.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit