Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka cilësuar protestën kombëtare të 28 Nëntorit si një qëndresë historike kundër qeverisë së Edi Ramës.
Në një deklaratë për mediat pas protestës, Berisha tha se dhjetëra mijëra qytetarë nga Shqipëria dhe diaspora u bashkuan në Tiranë për të protestuar, duke e cilësuar tubimin si një revoltë të jashtëzakonshme.
Ai theksoi se protesta dhe qëndresa e qytetarëve shqiptarë u pasqyruan edhe nga mediat e mëdha ndërkombëtare, duke e lidhur këtë me simbolikën e Ditës së Pavarësisë.
Berisha akuzoi qeverinë për përdorimin e forcës ndaj protestuesve, duke përmendur gazin lotsjellës, autobotët me ujë, plumbat e gomës dhe pajisje të tjera policore. Sipas tij, pavarësisht ndërhyrjes së policisë, qytetarët nuk u tërhoqën dhe vijuan qëndresën për orë të tëra në sheshin “Skënderbej”.
“Dhjetëra mijëra të rinj, të reja, burra dhe gra, qytetarë të bindjeve të ndryshme politike që me këtë protestë madhështore, me një revoltë të jashtëzakonshme, nderuan sot më bukur, më mirë, më madhërishëm se kurrë flamurin dhe ditën e kombit në ditën e tyre, në ditën e pavarësisë”, u shpreh Berisha.
Ai e përshkroi përballjen me policinë si një betejë në kushte të pabarabarta dhe tha se protestuesit kishin ardhur nga të gjitha trevat e Shqipërisë, si dhe nga diaspora.
“Nuk është festuar ndonjëherë dita e flamurit dhe kombit si kësaj here”, deklaroi në përfundim kryetari i PD-së.a.b





