Berisha-Ramës: Do mbash përgjegjësi për dhunën. Selia e PD strehë për çdo qytetar që përballet me terrorin e narkoregjimit

20:21, 28/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kryetari i PD, Sali Berisha, ka paralajmëruar Edi Ramën se do të mbajë përgjegjësi për dhunën e ushtruar ndaj protestuesve gjatë tubimit të 28 nëntorit në Tiranë. Ai akuzoi policinë për sulm ndaj selisë së Partisë Demokratike, duke deklaruar se godina do të jetë strehë për çdo qytetar që kërkon mbrojtje nga dhuna policore.

Kreu i PD-së dënoi atë që e cilësoi si ‘sulm stalinist’ ndaj selisë së demokratëve, duke akuzuar kryeministrin se kishte dërguar policinë për të goditur godinën me autobotë uji, bomba gazi dhe spraj.

Berisha deklaroi se selia e PD do të mbrojë dhe do t'u ofrojë strehim protestuesve të çdo bindjeje politike që përballen me ndërhyrjet e policisë.

Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:

Së dyti, duhet të dënoj dhunën e egër që u ushtrua sot ndaj protestuesve paqësorë. Garantoj Edi Ramën se do të mbahet direkt përgjegjës për këtë dhunë. Ai, Demo dhe Hitaj i tij. Kjo trojkë do përgjigjet për të gjitha plagosjet që u ka shkaktuar protestuesve paqësorë dhe do përgjigjet shumë rëndë.

Së treti, në emër të Partisë Demokratike dënoj me forcën më të madhe sulmin stalinist kundër selisë së Partisë Demokratike. Edvin Kristaq Xhelati, armiku i egër i pluralizmit dhe i Partisë Demokratike, dërgoi narkobanditët e tij me të gjithë arsenalet dhe gjuajtën selinë e Partisë Demokratike, territorin e saj me topa uji, me bomba gazi, me spraj, në një kohë kur në mënyrë absolute nuk kishte asnjë motiv të vetëm përveç urrejtjes së tij ndaj kundërshtarit politik.

Unë paralajmëroj Edi Ramën: hiq dorë nga sulmet ndaj selisë së Partisë Demokratike se në mënyrë absolute mund të të kundërpërgjigjemi në një mënyrë vendimtare me sulme ndaj selisë sate.

Sikundër theksoj se kjo seli ka qenë, është dhe do mbetet strehë mikpritëse për çdo protestuese e protestues të të gjitha bindjeve, sepse protestat janë një e drejtë kushtetuese, janë një e drejtë e patjetërsueshme dhe çdo kufizim, dhunë, terror ndaj protestuesve janë akte antikushtetuese.

Ndaj dhe këtë ta dijë mirë, ne do të mbrojmë, do t'i japim strehim çdo protestuesi që ka nevojë për mbrojtje dhe për strehim nga sulmet e egra të narkoregjimit të Edi Ramës.

Faleminderit!

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco