Qarku i Kukësit është përfshirë nga reshjet e dëborës pas uljes së ndjeshme të temperaturave. Reshjet e shiut janë ndërprerë, ndërsa dëbora ka nisur të bjerë edhe në qytetin e Kukësit.
Në zonat e larta malore është krijuar shtresa e parë e dëborës, e cila në qafat e maleve ka kaluar 10 centimetra.
Ndërkohë, në akset rrugore nacionale ka nisur puna me borëpastruese për largimin e dëborës dhe hedhjen e kripës, me qëllim mbajtjen e rrugëve të kalueshme.
Drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë në akset Kukës–Shishtavec, Bushtricë, Qafë Mali, Krumë–Kam–Tropojë, Bajram Curri–Valbonë dhe Qafë Morinë këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar dhe të përdorin goma dimërore.
Reshjet e dëborës vijojnë me intensitet, duke kërkuar vëmendje të shtuar nga të gjithë përdoruesit e rrugëve.


