Tetë vende perëndimore, mes tyre Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, i kanë bërë thirrje Autoritetit Palestinez që të organizojë zgjedhje presidenciale dhe parlamentare në tremujorin e parë të vitit 2027.
Në një deklaratë të përbashkët, Australia, Belgjika, Kanadaja, Franca, Luksemburgu, Norvegjia, Polonia dhe Mbretëria e Bashkuar theksuan se rinovimi demokratik i institucioneve palestineze është i domosdoshëm për ruajtjen e zgjidhjes me dy shtete.
Sipas ministrave të jashtëm të këtyre vendeve, mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe transparente është thelbësore për respektimin e parimeve demokratike dhe për t’u dhënë udhëheqësve palestinezë një legjitimitet të ri për të përfaqësuar aspiratat e popullit palestinez për dinjitet, liri dhe vetëvendosje.
“Njëzet vjet pas zgjedhjeve të fundit kombëtare në Palestinë dhe pesë vjet pas shtyrjes së zgjedhjeve parlamentare të planifikuara për vitin 2021, kjo mungesë zgjedhjesh vazhdon ta privojë popullin palestinez nga e drejta e tyre për t’u shprehur në mënyrë demokratike në kutitë e votimit”, thuhet në deklaratë.
Thirrja vjen pasi Presidenti palestinez Mahmoud Abbas vendosi në muajin tetor të shtyjë zgjedhjet parlamentare, të cilat ishin planifikuar për 28 nëntor dhe janë shtyrë për në shtator 2027.
Abbas e justifikoi vendimin me atë që i cilësoi si pengesa të vendosura nga Izraeli, si dhe me nevojën për krijimin e kushteve të përshtatshme politike, të sigurisë dhe praktike për zhvillimin e procesit zgjedhor. Izraeli ka mohuar përgjegjësinë për shtyrjen.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, e ka kritikuar vendimin, duke e cilësuar shtyrjen e zgjedhjeve si të pabazuar.
“Është urgjente t’i rikthehet zëri popullit palestinez dhe t’i lejohet atij të zgjedhë përfaqësuesit e tij përmes zgjedhjeve të lira dhe transparente, siç u zotua Presidenti Abbas”, shkroi Barrot në platformën X.
Tetë vendet theksuan gjithashtu se mbështetja ndërkombëtare për Autoritetin Palestinez duhet të shoqërohet me angazhime konkrete për reforma institucionale dhe ripërtëritje demokratike.
