E shtunë, 28 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
MedAL/ Reforma që nuk zgjidh asgjë, deformon tregun e barnave dhe rrezikon pacientët
Lajme

MedAL/ Reforma që nuk zgjidh asgjë, deformon tregun e barnave dhe rrezikon pacientët

🇬🇧 Read in English
Qeveria shqiptare synon të ndryshojë rrënjësisht mënyrën e furnizimit të spitaleve me barna dhe pajisje mjekësore, duke krijuar një kompani shtetërore, e cila, përveçse do të administrojë blerjet publike, do të mund të ushtrojë aktivitet tregtar, të importojë medikamente dhe të hyjë në ortakëri me kompani private që operojnë në sektorin farmaceutik.

Projektligji për krijimin e MedAL sh.a., i nxjerrë për konsultim publik nga Ministria e Shëndetësisë, argumentohet me nevojën për të shmangur mungesat e ilaçeve në spitale, për të ulur kostot e furnizimit dhe për të rritur fuqinë negociuese të shtetit përballë kompanive farmaceutike.

Por përpara se shteti të investojë në ngritjen e një strukture të re tregtare, duke ndryshuar ekuilibrat e një sektori ku operojnë prej dekadash kompani private vendase dhe ndërkombëtare, duhet të marrë përgjigje një pyetje themelore: A mungojnë ilaçet në spitalet shqiptare për shkak të modelit të distribucionit apo për shkak se shteti nuk financon dhe nuk administron siç duhet nevojat e pacientëve?

Vetë Ministria e Shëndetësisë, në relacionin shoqërues të projektligjit, identifikon ndër shkaqet e mungesës së barnave dështimin e procedurave të prokurimit, zgjatjen e tenderëve dhe mungesën e një sistemi të përbashkët të menaxhimit të rezervave spitalore. Pra, një pjesë e konsiderueshme e problematikave lidhet me mënyrën se si institucionet publike organizojnë furnizimin.

Problemi është mungesa e parave apo e distributorëve?

Shqipëria mbetet ndër vendet që shpenzojnë më pak fonde publike për shëndetësinë në Evropë.

Në vitin 2023, financimi publik i shëndetësisë për frymë në Shqipëri ishte rreth 293 dollarë, kundrejt 368 dollarëve në Maqedoninë e Veriut, 520 dollarëve në Bosnjë-Hercegovinë, 645 dollarëve në Serbi dhe 796 dollarëve në Malin e Zi, sipas të dhënave të OBSH-së të referuara në materialet ekonomike mbi reformën.

Pasojat e këtij nënfinancimi transferohen drejtpërdrejt te pacientët shqiptarë. Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë, i publikuar në nëntor 2026, evidenton se pagesat nga xhepi i qytetarëve përbënin 48.27% të shpenzimeve shëndetësore në vitin 2023, kundrejt një mesatareje prej rreth 15% në Bashkimin Evropian.

I njëjti raport evidenton mungesat e vazhdueshme të barnave esenciale në spitale dhe financimin e pamjaftueshëm të kujdesit parësor, ku gjatë vitit 2025 shpenzimet rezultuan rreth 28% më të ulëta se planifikimi.

Përmasat e problemit kuptohen më mirë duke analizuar numrin e shqiptarëve që vuajnë nga sëmundjet kronike.

Federata Ndërkombëtare e Diabetit vlerëson se në Shqipëri jetojnë rreth 261 mijë persona me diabet, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë, në vlerësimin e saj të vitit 2025, përllogarit se rreth 797 mijë shqiptarë të moshës 30–79 vjeç vuajnë nga hipertensioni. Prej tyre, rreth 711 mijë nuk e kanë sëmundjen nën kontroll.

Një përllogaritje orientuese e kostove të trajtimit për diabetin, hipertensionin, astmën, sëmundjet kardiovaskulare dhe pesë lloje kanceri e vlerëson në rreth 68 milionë euro në vit financimin shtesë të nevojshëm për zgjerimin e mbulimit me rimbursim të këtyre kategorive, duke ruajtur si bazë kostot ekzistuese të trajtimit.

Krijimi i MedAL-it nuk garanton në vetvete shtimin e këtyre fondeve, zgjerimin e listës së barnave të rimbursueshme apo përfshirjen e terapive të reja për pacientët onkologjikë.

Ndërkohë, ngritja e kompanisë shtetërore do të kërkojë kapital, personel, magazina, sisteme informatike, pajisje dhe kapacitete transporti, një pjesë e të cilave ekzistojnë tashmë në tregun farmaceutik shqiptar.

Në vend që burimet financiare të orientohen tërësisht drejt shtimit të barnave dhe përmirësimit të trajtimit të pacientëve, lind rreziku që një pjesë e tyre të përdoren për ngritjen e një infrastrukture shtetërore që dublon kapacitetet ekzistuese.

Shteti organizon tenderët dhe bëhet ortak me kompanitë që konkurrojnë në to

Problematika më e madhe e projektligjit për MedAL lidhet me ndërthurjen e funksionit publik të blerësit me interesat tregtare të kompanisë shtetërore.

Sipas neneve 4 dhe 6 të projektligjit, MedAL do të organizojë prokurimet për institucionet publike shëndetësore, por njëkohësisht do të mund të krijojë kompani të tjera ose të blejë aksione në shoqëri private që ushtrojnë aktivitet në prodhimin, importimin dhe tregtimin e barnave.

Në këto kushte, MedAL do të ketë interes financiar në rezultatet ekonomike të kompanive që potencialisht mund të konkurrojnë për kontratat e administruara prej saj.

Favorizimi i një operatori ekonomik nuk ndodh domosdoshmërisht gjatë vlerësimit të ofertave. Ai mund të ndodhë që në fazën e hartimit të procedurës, përmes përcaktimit të specifikimeve teknike, grupimit të produkteve në lote apo vendosjes së kritereve të pjesëmarrjes.

Nëse, për shembull, dhjetë medikamente onkologjike grupohen në një lot të vetëm, një distributor që ofron çmime më të favorshme për dy prej tyre, por nuk disponon tetë të tjerat, mund të mbetet jashtë konkurrimit nëse nuk lejohen ofertat e pjesshme.

Situata bëhet edhe më problematike nëse MedAL zotëron aksione në kompaninë që disponon të dhjetë medikamentet.

Një tjetër avantazh potencial lidhet me informacionin që do të administrojë kompania shtetërore. MedAL do të ketë akses në të dhënat mbi konsumin kombëtar të barnave në sistemin publik, nevojat e spitaleve, çmimet e negociuara, rezervat dhe kushtet e furnizimit.

Në mungesë të një ndarjeje të rreptë të informacionit ndërmjet aktivitetit të blerjes publike dhe atij tregtar, kompanitë ku MedAL zotëron aksione mund të përfitojnë një avantazh të konsiderueshëm ndaj konkurrentëve të tyre.

Projektligji i jep gjithashtu MedAL-it mundësinë të ushtrojë të drejtën e vetos në kompanitë ku merr pjesë, pavarësisht përqindjes së aksioneve që zotëron. Kjo përfshin vendimet për rritjen e kapitalit, shpërndarjen e fitimit, ndryshimin e statutit dhe pranimin e aksionarëve të rinj.

Kompania shtetërore mund të marrë edhe prona publike dhe, me miratimin e qeverisë, t’i përdorë ato si kolateral për sigurimin e financimeve.

Megjithëse projektligji parashikon procedura konkurruese dhe ndalon përdorimin e fondeve të destinuara për furnizimin e spitaleve për mbulimin e humbjeve të kompanive partnere, mbetet e nevojshme ndarja e kostove, personelit, infrastrukturës dhe informacionit ndërmjet funksioneve publike dhe atyre tregtare.

Përndryshe, distributorët privatë do të gjendeshin përballë një konkurrenti që përfiton nga kapitali dhe pasuritë shtetërore, ndërkohë që administron edhe kërkesën e institucioneve publike për produktet që ata tregtojnë.

Çfarë rrezikojnë pacientët nga përqendrimi i furnizimit me barna?

Në tregun farmaceutik, ndërprerja e furnizimit nuk ka vetëm pasoja ekonomike. Për një pacient që trajtohet për kancer, diabet apo një sëmundje të rëndë kronike, vonesat në sigurimin e medikamentit mund të ndikojnë drejtpërdrejt në ecurinë e trajtimit.

Përqendrimi i blerjeve mund të sjellë kursime për buxhetin nëpërmjet negocimit të volumeve më të mëdha, por përqendrimi i të gjithë zinxhirit të furnizimit në një strukturë të vetme rrit pasojat e një dështimi të mundshëm të saj.

Nëse një procedurë e centralizuar dështon, një furnitor nuk përmbush kontratën apo kompania shtetërore përballet me probleme financiare dhe logjistike, mungesa e një medikamenti mund të prekë njëkohësisht disa spitale në të gjithë vendin.

Ndërkohë, humbja e aksesit në kontratat publike për periudha të gjata mund të dekurajojë investimet e distributorëve ekzistues, të reduktojë numrin e operatorëve në treg dhe të dobësojë kanalet alternative të furnizimit.

Jo rastësisht, politikat e Bashkimit Evropian për sigurimin e barnave kritike po orientohen drejt diversifikimit të burimeve të furnizimit dhe reduktimit të varësisë nga një numër i kufizuar furnitorësh.

Vetë Ministria e Shëndetësisë përmend si model kompaninë publike daneze Amgros, e cila organizon blerjet e centralizuara të barnave për spitalet. Por në Danimarkë, pas lidhjes së marrëveshjeve nga Amgros, farmacitë spitalore ua dërgojnë porositë furnitorëve, të cilët realizojnë drejtpërdrejt dorëzimin e medikamenteve. Rezervat strategjike publike plotësohen nga rezervat e farmacive spitalore dhe të furnitorëve.

Pra, centralizimi i blerjeve nuk kërkon domosdoshmërisht zëvendësimin e zinxhirit ekzistues të distribucionit.

Një tjetër pikë delikate e projektligjit shqiptar lidhet me mundësinë që MedAL të importojë, në rrethana të posaçme, edhe medikamente që nuk janë të autorizuara për tregtim në Shqipëri dhe në Bashkimin Evropian.

Për këto importe kërkohet autorizimi paraprak i autoritetit kompetent për barnat. Por i njëjti projektligj parashikon që Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore të ketë një përfaqësues në Këshillin Mbikëqyrës të MedAL-it, organ që miraton planet e biznesit, planet e blerjeve dhe projektet e investimeve të kompanisë.

Kjo ndërthurje e funksioneve kërkon garanci të posaçme për pavarësinë e vendimmarrjes rregullatore, në mënyrë që interesat ekonomike të kompanisë shtetërore të mos ndikojnë në vlerësimin e cilësisë, sigurisë dhe efikasitetit të medikamenteve që ajo kërkon të importojë.

Ku është studimi i fizibilitetit?

Shteti mund të rrisë fuqinë e tij negociuese përballë kompanive farmaceutike, të centralizojë blerjet, të krijojë rezerva strategjike, të përshpejtojë procedurat e prokurimit dhe të monitorojë elektronikisht rezervat e spitaleve, duke shfrytëzuar kapacitetet ekzistuese të operatorëve të licencuar, pa qenë domosdoshmërisht ortak me ta.

Por përpara se të ndërmarrë një reformë të këtyre përmasave, qeveria duhet të tregojë me shifra se përse modeli MedAL është ekonomikisht më i favorshëm se alternativat.

Nga verifikimi i dokumentacionit të publikuar për konsultim, Skyweb.al konstaton se Ministria e Shëndetësisë nuk ka shoqëruar projektligjin me një studim të detajuar fizibiliteti ekonomik dhe operacional.

Madje, në seksionin e relacionit kushtuar vlerësimit të të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore, Ministria mjaftohet me një fjali:

“Zbatimi i projektligjit ka efekte financiare mbi buxhetin e shtetit.”

Nuk përcaktohet sa do të kushtojë ngritja e kompanisë, sa kapital do të kërkojë funksionimi i saj, çfarë kursimesh konkrete pritet të realizohen dhe brenda cilit afat.

Në një vend ku pacientët mbulojnë nga xhepi afro gjysmën e shpenzimeve shëndetësore dhe ku financimi i trajtimeve moderne mbetet i kufizuar, përpara krijimit të një kompanie shtetërore me kompetenca kaq të gjera tregtare, qeveria duhet të provojë se MedAL do t’u sigurojë shqiptarëve ilaçe më cilësore, më të lira, furnizim të pandërprerë dhe akses më të mirë në terapitë bashkëkohore.

Pa një analizë të tillë, çfarë e justifikon ndryshimin rrënjësor të tregut farmaceutik shqiptar dhe marrjen përsipër të gjithë këtyre rreziqeve nga shteti dhe pacientët? /skyweb

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.