Dita e Flamurit ka bashkuar mijëra shqiptarë në Prekaz, ku këtë 28 Nëntor janë zhvilluar homazhe në nderim të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari.

Në këtë datë shënohet edhe 71-vjetori i lindjes së Adem Jasharit, si dhe 29-vjetori i daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Pavarësisht temperaturave të ulëta, qytetarë të shumtë nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare iu drejtuan që në orët e para të mëngjesit Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, për të nderuar të rënët dhe për të kujtuar sakrificën e tyre për lirinë e Kosovës.

Për shumë prej vizitorëve, Prekazi mbetet një vend me domethënie të veçantë historike dhe kombëtare, ku rikthehen çdo vit për të mos lejuar që sakrifica e familjes Jashari të bjerë në harresë.

Përveç qytetarëve, në Prekaz zhvilluan homazhe edhe përfaqësues të institucioneve dhe partive politike, të cilët vendosën kurora me lule pranë varrezave të familjes Jashari.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi Prekazin si një prej ngjarjeve dhe vendeve më të rëndësishme të trashëgimisë historike shqiptare, duke e vendosur përkrah Krujës së Skënderbeut dhe Vlorës së Ismail Qemalit.

Ndërsa kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, theksoi mirënjohjen e përjetshme ndaj familjes Jashari dhe UÇK-së për kontributin në çlirimin e Kosovës.

Edhe ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ishte në Prekaz, ku bëri thirrje për bashkim në mbrojtje të vlerave të luftës.

28 Nëntori mbetet një datë me rëndësi të veçantë për shqiptarët, pasi përveç Ditës së Flamurit, lidhet edhe me kujtesën historike të rezistencës dhe luftës për lirinë e Kosovës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: