Reshjet e borës kanë shkaktuar problemet e para në qarkullimin e makinave në zonën e Peshkopisë.

Në disa nga zonat e thella të Bashkisë Dibër, trashësia e borës ka arritur deri në dhjetë centimetër, megjithatë nuk raportohet për problematika në bllokimin e rrugëve.

Trafiku është rënduar në aksin Peshkopi–Maqellarë, në zonën e Melanit, aty ku disa autovetura kanë hapur krahun për shkak të pamundësisë për të ecur në rrugën e mbuluar nga dëbora.

Autoritetet kanë paralajmëruar për rënie të ndjeshme të temperaturave në ditët në vijim, duke u bërë thirrje shoferëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të përdorin zinxhirët kur është e nevojshme.