Të paktën 21 persona, mes tyre pesë fëmijë, kanë humbur jetën si pasojë e një sulmi ajror të ushtrisë së Mianmarit ndaj një salle ku po zhvillohej një dasmë, në një zonë të përfshirë nga konflikti i armatosur.
Bilanci tragjik është bërë i ditur nga dëshmitarë dhe një organizatë e ndihmës humanitare, ndërsa sulmi përbën një tjetër episod me numër të lartë viktimash në luftën civile që prej vitesh po shkatërron vendin.
Pamjet filmike të regjistruara nga një dëshmitar, të cilat agjencia AFP nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur, tregojnë persona të gjakosur duke u transportuar për të marrë ndihmë mjekësore pas bombardimit.
Sulmi ndodhi në një fshat të zonës Moe Bye, në kufirin mes shtetit Shan dhe rajonit Karenni, ku ndodhet një numër i konsiderueshëm personash të zhvendosur brenda vendit për shkak të luftimeve.
