AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Reportazhe

Tirana nën gaz në ditën e Flamurit

Të rinj të ardhur nga emigracioni dhe dhjetramijëra qytetarë të Shqipërisë u bashkuan në qendër të Tiranës në një protestë kombëtare kundër korrupsionit dhe braktisjes së vendit në ditën e Pavarësisë, por u përballën shpejt me gaz lotsjellës, ujë me presion dhe plumba gome.

Vladimir KarajngaVladimir Karaj
38 minutes më parë
në Artikull kryesor, Reportazhe
Koha e leximit: 6 min lexim
A A
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
1
Një protestues duke parakaluar përpara policisë në protestën e 28 Nëntorit. Foto: Xhemali Moku.

Protestuesit nuk patën kohë për thirrjet në kor kundër qeverisë, përpara se bulevardi “Dëshmorët e Kombit” të mbulohej nga të gjitha drejtimet me gaz lotsjellës, aty rreth orës 12:50 të mesditës së të shtunës.

Fillimisht gazi dhe uji me presion u përdorën kundër një grupi prej dhjetëra të rinjsh që u përplasën me policinë në urën e Lanës, por në vijim u zbatua e njëjta strategji shpërndarjeje si në protestat e mëparshme, duke hedhur gaz edhe mbi mijëra qytetarë që qëndronin paqësisht, larg vendit të përplasjes.

Protesta kombëtare në Ditën e Flamurit është pjesë e një vale protestash të nisura më 31 maj kundër një resorti luksoz në Zvërnec, por që u transformuan shpejt në protesta kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes. Protesta mori një përmasë të re më 13 tetor, kur mijëra studentë dhe gjimnazistë dolën në rrugë dhe u përballën me forcë me policinë.

“Isha veshur për festë sot,” thotë e zhgënjyer një vajzë e re me flamurin mbi shpinë dhe pa mjete mbrojtëse kundër gazit, ndërsa shtyhet bashkë me të tjerë në zonën mes Tajvanit dhe Shallvareve.

Por dita e Flamurit në Tiranë ishte gjithçka tjetër përveç festës.

Në mbrëmje, sipas bilancit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, 35 persona kishin përfunduar në spital me dëmtime të formave të ndryshme. Mes të lënduarve raportohen 14 protestues, 10 efektivë policie, 6 punonjës të medias, 3 kalimtarë dhe një punonjës sigurie.

Bilanci i të plagosurve erdhi pas një trajektoreje absurde përplasjesh.

Në orët e para të saj, protesta i ngjante më shumë një feste me daulle, flamuj dhe simbole kombëtare në sheshin “Skënderbej”. Por ajo përshkallëzoi shpejt në përplasje me policinë sapo protestuesit iu drejtuan bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

dsc 7742
Protestuesit e mbuluar nga tymi i flakadanëve në Tiranë. Foto: Xhemali Moku.

Për t’u larguar nga zona e përplasjes, dhjetra protestues gjetën strehë nën një shi të imët në rrugën mes Tajvanit dhe Shallvareve, por u gjendën papritur nën sulm. Forcat e policisë mbinë në krye të rrugës, hodhën gaz dhe bllokuan njërën prej daljeve.

Forca të tjera policie, të shoqëruara nga një makinë që hidhte ujë me presion, kaluan mes për mes protestuesve. Këta të fundit u përgjigjën duke goditur makinat me gurë dhe çadra. Disa prej tyre u përplasën në tokë nga uji i hedhur në distancë të afërt. Një burrë rreth të pesëdhjetave përfundoi me këmbën të gjakosur, pasi një granatë gazi e goditi në kërcirin e këmbës, pak poshtë gjurit, ndërsa të tjerë u lënduan nga përplasja në tokë.

Për shumicën e qytetarëve që ishin grumbulluar aty për t’iu shmangur episodeve të dhunshme, ndërhyrja e policisë ishte krejt e pajustifikuar.

“Po, unë kam ardhur, unë kam ardhur, unë kam ardhur për protestën, kam ardhur për ditën e Flamurit. Kam ardhur të protestoj paqësisht, që njerëzit të jenë të lirë, të kenë mundësi e të punojnë,” thotë Gentjani, një burrë rreth 50 vjeç nga Lezha.

Ai thotë se në protestë e kanë sjellë braktisja e vendit dhe vështirësitë ekonomike, por shton se nuk dëshiron që të shohë dhunë.

“Ka mbaru çdo gjë. Këtu kemi mbetur vetëm pleq, pleqëri që po vdes e rrezik nuk e merr vesh njeri që vdiq. Gjithçka a mbaroi?”, thotë ai, pa e fshehur dëshpërimin.

Dy orë më vonë, bulevardi tashmë i zbrazur nga protestuesit, ka një pamje të trishtë. Shumica e protestuesve po përplasen me policinë në një front të dytë pranë sheshit “Skënderbej”.

Këtu kanë mbetur vetëm policë të lodhur nën shi, që luten të mos filmohen, makinat e shpërndarjes së turmave, të “zbukuruara” me flamuj kombëtarë, dhe një buldozer që mbledh gurët e hedhur gjatë përplasjeve. Pak protestues që kanë mbetur në këtë anë të bulevardit gërricen më shumë me gazetarët, të cilët gjithashtu mbahen larg protestës nga policia.

Perimetrin e sigurisë e kalon vetëm një shpërndarës ushqimi, që siç thotë, ka sjellë porosinë “për shefin”. Një oficer policie me veshje civile, me fytyrën e mbuluar dhe një kapuç të zi në kokë afrohet të marrë pakon e ushqimit.

Pak më tutje, një skuadër e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, që shoqëron një prej makinave të ujit në drejtim të parlamentit, përballet me molotovë dhe fishekzjarrë të hedhur nga protestues brenda gardhit të selisë së Partisë Demokratike. Policia hedh gaz lotsjellës dhe largohet, por një grusht protestuesish i ndjekin efektivët, duke i qëlluar me gurë.

Në një lojë të çuditshme, policia rikthehet në zonë dhe përdor sërish gaz lotsjellës. Protestuesit këtu nuk janë më shumë se 20 veta. Megjithatë, përplasja vijon për disa minuta dhe një molotov i vë zjarrin njërës prej kioskave në rrugë. Kalimtarë të rastit, mes tyre edhe prindër me fëmijë, mbeten të bllokuar në xhami dhe në lokalin pranë saj.

“Po ça bëni more. Po nuk mbahet pushteti kështu more,” thotë një grua që po kthehej në shtëpi nga pazari, me një trastë me perime në duar. Gruaja loton nga gazi.

111
Një punonjës i Policisë së Shtetit duke qëlluar me plumba gome. Foto: Xhemali Moku.

Një numër më i madh protestuesish, që i ishin larguar gazit në sheshin “Skënderbej”, përballen me të tjera granata gazi, pasi marshojnë drejt parlamentit. Situata tensionohet më tej, kur dy efektivë të FNSH-së të mbetur vetëm, sulmohen nga protestuesit. Mbërritja e forcave shtesë të policisë shpërndan turmën, por grupe protestuesish mbeten në rrugicat përreth, në përpjekje për t’i shpëtuar gazit.

Mes tyre është një grup të rinjsh që kanë ardhur nga Milano për të protestuar.

Me kundragaz, kapuç të zi dhe flamurin kombëtar mbi shpinë, Sara, një studente 25-vjeçare e lindur në Itali, thotë se kjo nuk është hera e parë që vjen në Shqipëri për të protestuar.

“Kam qenë edhe kur protesta ishte paqësore,” thotë ajo, ndërsa tregon se shokët e saj, thuajse të së njëjtës moshë, kishin marrë pjesë edhe në protesta të tjera.

Sara thotë se po proteston kundër atyre që i detyruan prindërit e saj të largohen.

“Nuk dua të shoh atdheun tim të shitet. Pavarësisht se kam lindur dhe jetoj në Itali, mendoj që kam të drejtë të protestoj edhe këtu,” tha ajo.

E reja thotë se nuk proteston vetëm kundër Edi Ramës, por edhe kundër kryeministres italiane Giorgia Meloni, e njohur për miqësinë me kryeministrin shqiptar.

“Kam protestuar edhe në Itali, njëlloj kundër korrupsionit,” i tha ajo BIRN-it në një prej rrugicave përballë parlamentit, ngjitur me një dyqan ku punonjës të huaj shesin akullore italiane.

Për të protestuar kundër korrupsionit ka dalë në rrugë edhe Gea, një juriste 26- vjeçare nga Tirana.

“Rama i ka zëvendëskryeministrat nën akuzë. Njëri është arratisur dhe jeton në Zvicër tani”, thotë ajo, ndërsa shton se hetimet e SPAK-ut dhe akuzat ndaj zyrtarëve të lartë kanë nxjerrë në dritë përmasat e korrupsionit. Ajo shpreson se hetimet dhe protestat do të sjellin ndryshim.

“Unë nuk dua të largohem nga vendi dhe ata që janë larguar e kanë bërë me zemër të rënduar, askush nuk do të largohet, por jemi të shtrënguar”, thotë e reja, që ka dalë në protestë bashkë me familjen.

8
Forcat e Policisë duke u mbrojtur nga bombat molotov. Foto: Xhemali Moku.

Me familjen ka dalë në protest edhe Shpëtim Bullari, një 46-vjeçar nga Cërriku. Përkrah dy vajzave të tij, njëra studente dhe tjetra në klasë të tetë, Bullari thotë se proteston kundër shitjes së vendit dhe asaj që e konsideron tradhti ndaj shqiptarëve, të cilët po detyrohen të largohen.

“Nga vij unë, vetëm unë kam ngelur në zonë i moshës sime. Të gjithë shokët e mi janë larguar. Këta po na largojnë të gjithëve. Nuk na duan këtu,” thotë Bullari.

Ai shpreson se protestat do ta detyrojnë qeverinë të dorëhiqet, por nuk e sheh zgjidhjen te rikthimi në pushtet i politikanëve të vjetër.

“Kërkoj të formohet një qeveri me rini, intelektualë, njerëz që e duan Shqipërinë, jo tradhtarë”, thotë ai, duke iu referuar asaj që e quan klasa e vjetër politike.

Në mbrëmje, kur një grup i vogël  protestuesish po përballej me policinë përballë Bashkisë së Tiranës, të tjerë po thërrisnin në kor “Rama n’burg, Berisha n’burg”.

Përpara se të hidhnin molotovë drejt policisë, ata paralajmëruan protestuesit e tjerë të largoheshin.

“Hapuni se do i qëllojmë”, tha një prej tyre. Hedhja e tre-katër bombave molotov ndaj makinës së ujit u prit me brohoritje nga turma. Hedhësit u larguan, një prej tyre me monopatinë elektrike.

Gjatë gjithë ditës, policia përdori pa kursim ujin me presion, gazin lotsjellës dhe plumbat e gomës. Arsenali i saj ishte pasuruar edhe me dronë, të cilët hidhnin gaz nga ajri mbi protestuesit.

Sasitë e mëdha të gazit, që nën shi krijonin re të dendura mjegulle, nuk arritën megjithatë ta shpërndanin protestën. Në shumicën e rasteve, protestuesit thjesht largoheshin nga njëra rrugë për të marshuar në një tjetër, ndërsa forcat e shumta të policisë nuk arrinin ta mbanin situatën nën kontroll.

Ironikisht, edhe flamujt kombëtarë me të cilët policia kishte zbukuruar makinat e saj u kthyen në objekt përplasjeje. Protestuesit i akuzonin policët për tradhti dhe në disa raste u përpoqën t’ua hiqnin vetë flamujt nga makinat.

Mes shpërthimeve të granatave të gazit, një prej thirrjeve që u dëgjua vazhdimisht në Tiranë në Ditën e Flamurit, iu drejtohej pikërisht policëve: “Hiqeni flamurin”!

222
Dhjetramijëra protestues u mblodhën në Tiranë në ditën e Flamurit. Foto: Xhemali Moku.
10
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 35 persona u dëmtuan nga përplasjet, mes të cilëve protestues, gazetarë dhe punonjës të Policisë. Foto: Xhemali Moku.

 

Etiketa: Edi RamaPerplasja me policinePolicia e ShtetitProtesta e 28 Nentorit
1

Tirana nën gaz në ditën e Flamurit

21:12 | 28/11/2026
policia 1

Plumba gome dhe ujë me presion edhe mbi gazetarët

17:39 | 28/11/2026
Përfundon mandati i drejtueses së BKH, Aida Hajnaj

Përzgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm në vendnumëro, një javë para përfundimit të afatit

07:53 | 28/11/2026
I akuzuari për kontrabandën e cigareve fiton lirinë me 1 milion euro garanci

Gjykata e Posaçme dënon me 78 vjet burg të pandehurit e dosjes “Revanshi”

17:48 | 27/11/2026
Homeland Justice pretendon se ka hakeruar emailet e Kuvendit

Amendamenti i minutës së fundit zgjat favoret fiskale për hotelet me 5 yje

11:48 | 27/11/2026
dominique de villepin 20100330 salon du livre de paris 2

Kush mund të flasë për Evropën në bisedimet e paqes me Rusinë?

11:40 | 27/11/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.