Vau i Dejës kujton imzot Simon Kullin – Promovohet libri “Dashuria e Krishtit na nxit”
Një vit nga ndarja nga jeta e Imzot Simon Kullit, meshe përkujtimore dhe nderime për figurën e tij
Një vit pas ndarjes nga jeta të Imzot Simon Kullit, Katedralja e Sapës u bë vendi i një ceremonie përkujtimore në nderim të figurës dhe veprës së tij.
Besimtarë, klerikë dhe përfaqësues të institucioneve u mblodhën për të kujtuar kontributin e tij në shërbim të Kishës Katolike dhe komunitetit.
Mesha e shenjtë u drejtua nga Arqipeshkvi i Tiranë-Durrësit, Imzot Arjan Dodaj, i cili kujtoi misionin baritor dhe përkushtimin e Imzot Simon Kullit ndaj Kishës dhe besimtarëve.
Në fjalën e tij, ai u shpreh se “Kishte një aftësi të veçantë buzëqeshjeje, kishte një sens të veçantë humori që i përkiste vetëm Simonit dhe vetëm kush e njihte dinte ta lexonte.”
Më pas, në ambientet e Ipeshkvisë, u zhvillua një takim përkujtimor, ku Arqipeshkvi i Shkodër-Pultit, Imzot Giovanni Peragine, solli kujtime dhe dëshmi mbi jetën, veprimtarinë dhe gjurmët që Imzot Simon Kulli la në komunitet.
“Nuk fliste shumë, por kur ndërhynte e bënte në momentin e duhur dhe shprehte mendimin e tij me qartësi e vendosmëri.”
Vlerësime për figurën e tij përcolli edhe kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, i cili vuri në dukje kontributin e çmuar të Imzot Kullit në shërbim të njerëzve dhe komunitetit.
“Shenjtëria e një njeriu nuk matet vetëm me fjalët që thotë, por me mirësinë që lë pas. Imzot Simoni la pas pikërisht një trashëgimi dashurie, përkushtimi, solidariteti dhe vëllazërie. Sot nuk nderojmë vetëm një emër, nderojmë një vepër, një shembull dhe një gjurmë që koha nuk duhet ta fshijë kurrë.”
Një tjetër moment i veçantë i ceremonisë ishte promovimi i librit “Dashuria e Krishtit na nxit”, një botim kushtuar jetës, përkushtimit dhe veprës së ipeshkvit të ndjerë.
Ceremonia u përmbyll me një vlerësim simbolik dhe domethënës. Bashkia e Vaut të Dejës u dorëzoi familjarëve titullin “Qytetar Nderi”, akorduar pas vdekjes për Imzot Simon Kullin, si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të vyer në shërbim të Kishës dhe shoqërisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




