Zonat malore të Librazhdit janë përfshirë nga reshjet e dëborës, duke vështirësuar kushtet e lëvizjes dhe duke sjellë rënie të ndjeshme të temperaturave.
Reshjet nisën në orët e vona të pasdites së kësaj të shtune. Pas orës 18:30, dëbora mbuloi edhe zonën malore të Njësisë Administrative Steblevë.
Të lidhura
None found
Situata është shfaqur edhe në rrugën Librazhd–Zgosht–Sebisht, kryesisht në zonën e Fushë Studenit, ku temperaturat kanë rënë ndjeshëm.
Për të garantuar qarkullimin, pas orës 20:00 në aksin Zgosht–Sebisht u angazhuan mjetet borëpastruese, të cilat nisën pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugës.
Strukturat përgjegjëse bëjnë me dije se deri në këto momente lëvizja në këtë segment vijon normalisht dhe nuk janë evidentuar probleme.
Megjithatë, drejtuesit e mjeteve duhet të tregojnë kujdes të veçantë, pasi gjatë ditës së dielë pritet që reshjet të bëhen më intensive.
Udhëtarëve që drejtohen drejt zonave malore u këshillohet të ulin shpejtësinë, të mos kryejnë manovra të rrezikshme dhe të përdorin goma dimërore e zinxhirë.
Mjetet borëpastruese do të vijojnë kontrollet dhe ndërhyrjet në terren, me synim mbajtjen e aksit të hapur dhe të kalueshëm.




