Një sulm kibernetik ka goditur Departamentin e Punës dhe Pensioneve në Britaninë e Madhe, duke detyruar autoritetet të ndërpresin disa prej shërbimeve të tij online. Institucioni, përgjegjës për administrimin e pensioneve dhe pagesave të mirëqenies sociale, bëri të ditur se specialistët po hetojnë incidentin.
Në një deklaratë zyrtare, një zëdhënës i departamentit konfirmoi se sistemet e tij ishin shënjestruar nga një sulm kibernetik, ndërsa theksoi se pagesat e pensioneve dhe përfitimeve sociale do të vijojnë normalisht, pavarësisht ndërprerjes së shërbimeve online.
Disa prej platformave dixhitale mbetën jashtë funksionit që prej orës 17:00 të së shtunës, ndërsa autoritetet po punojnë për rikthimin e tyre.
"Së bashku me Qendrën Kombëtare të Sigurisë Kibernetike dhe Qendrën Qeveritare të Koordinimit Kibernetik, ne po punojmë për të kuptuar shkakun e një përpjekjeje për të fituar akses të paautorizuar në sistemet tona", thuhet në deklaratën e Departamentit të Punës dhe Pensioneve.
Ky incident vjen në një kohë kur sulmet kibernetike ndaj institucioneve publike dhe kompanive britanike janë shtuar ndjeshëm. Ndër objektivat e sulmeve të mëparshme kanë qenë Biblioteka Britanike, shërbimet e analizave të gjakut, Transporti për Londrën, si dhe kompanitë Marks & Spencer dhe Jaguar Land Rover.
Shqetësimet për sigurinë kibernetike janë shtuar edhe pas paralajmërimit të Qendrës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike, e cila në fillim të këtij muaji theksoi se Britania duhet të përgatitet për një sulm të mundshëm ndaj infrastrukturës kritike kombëtare, të mundësuar nga inteligjenca artificiale, brenda dy viteve të ardhshme.
Ndërkohë, sulmet e fundit ndaj rrjeteve të supermarketeve në Evropë kanë nxjerrë në pah dobësitë e sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe rreziqet në rritje për institucionet dhe bizneset.
Autoritetet britanike vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun dhe përmasat e incidentit.







Komente
Komento