Studentja Livia Dedej ka folur për protestat dhe angazhimin e të rinjve në lëvizjen studentore.
E ftuar në emisionin “Review” në Euronews, Dedej, u pyet nëse studentët kanë në plan të dalin me kandidatë për të garuar në zgjedhjet lokale të 9 majit, apo nëse do të bashkohen me forca të tjera opozitare.
Në përgjigje, ajo theksoi se lëvizja ndodhet ende në fazat e para të organizimit dhe se nuk ka një vendim përfundimtar mbi hapat e ardhshëm.
“Unë nuk flas dot në emër të grupit. Jemi në fazat tona të para. Unë personalisht nuk kam krijuar një pëlqim specifik dhe ndonjë simpati për ndonjë figurë. Filozofia e lëvizjes ka ardhur pikërisht nga fakti që ne nuk jemi ndjerë të përfaqësuar nga unionet studentore, nga këshilli studentor. Gjëja e parë që ne duam të bëjmë është të mendohemi, të mblidhemi, të organizohemi, të kemi mundësi për të biseduar me njëri-tjetrin, për të kuptuar se ku realisht qëndrojmë. Patjetër që çdo lloj skenari që do të kemi pas kësaj do të vijë me kalimin e kohës dhe me bashkëpunimin, pasi struktura është jopartiake”, u shpreh ajo.













