Saturday / November 28 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Bota Europa

Paradoksi i fuqisë së Parisit

Share Share Icon

Si u bë Franca e paqeverisshme brenda kufijve të saj, por e pandalshme në Bruksel

 

Ka mënyra më të mira për të nxjerrë në pah përparësitë e modelit tënd ekonomik sesa t’i vësh flakën kryeqytetit. Por provo t’ua thuash këtë francezëve, shkruan The Economist.

Vitet e fundit, protestat janë bërë një pjesë aq e zakonshme e jetës kombëtare, saqë është e vështirë të dallosh se ku përfundon njëra valë demonstratash dhe ku fillon tjetra.

Nga studentët te pensionistët, të gjithë duket se janë vazhdimisht të pakënaqur.

Klasa politike është në luftë me vetveten, ndërsa shtrohet pyetja nëse një president jopopullor do t’ia lërë së shpejti vendin një populisti që nxit pakënaqësitë e masave. Investitorët në tregun e obligacioneve po e ndëshkojnë qeverinë e zhytur në borxhe të Parisit, duke kërkuar norma gjithnjë e më të larta interesi për të financuar buxhetet e saj jashtë kontrollit.

Vala e fundit e dhunës krijon përshtypjen e një shteti njëkohësisht të fryrë dhe të paaftë për t’u përballur me sfidat. Si gjithmonë, situata duket disi më pak e rëndë nga brenda Francës sesa për ata që e shohin nga jashtë. Megjithatë, kush do të dëshironte të ndiqte politikat e një vendi që duket se po shkon me shpejtësi drejt rënies?

“Unë! Unë! Unë!”, është përgjigjja që vjen nga fqinjët e Francës në Bashkimin Europian. Sepse, edhe ndërsa rrugët e Parisit mbajnë erë gaz lotsjellës, idetë që administrata franceze ka promovuar prej dekadash po fitojnë gjithnjë e më shumë terren në institucionet e BE-së.

Veçanërisht në çështjet ekonomike, mendimi francez po përkthehet pothuajse drejtpërdrejt në legjislacionin e Brukselit. Francës mund të jenë duke i shteruar paratë, stabiliteti politik dhe durimi i qytetarëve, por jo ndikimi.

Një vend që shumëkush mendon se duhet të shërbejë si shembull paralajmërues, në fakt po trajtohet si model për t’u ndjekur. Ky mund të quhet paradoksi i fuqisë së Parisit: ndërsa politikanët francezë po humbasin aftësinë për të qeverisur në vendin e tyre, ata po forcojnë ndikimin ideologjik mbi Europën.

Brukseli dikur ishte vendi ku prirja franceze për ndërhyrjen e shtetit në ekonomi përplasej me besimin gjerman te tregjet dhe tregtia relativisht e lirë.

Dhe zakonisht, Franca dilte e humbur nga kjo përplasje. Institucionet e BE-së kanë pasur prej kohësh një orientim liberal, që frenonte preferencat franceze për një shtet të madh që drejton ekonominë.

Rregullat e bllokut i pengonin qeveritë kombëtare të ndërhynin në çështjet industriale, duke shpërndarë fonde publike për kompanitë e favorizuara dhe forma të tjera të ngjashme mbështetjeje.

Në këmbim, francezët siguruan subvencione bujare për bujqësinë. Në vend që të mbronte kompanitë kombëtare më të rëndësishme, BE-ja përgjithësisht parapëlqente t’i linte ndërmarrjet vendase të përballeshin me konkurrencën, si brenda bllokut, ashtu edhe jashtë tij.

Hartuesit e politikave në Paris zemëroheshin me kufizimet që i vendoseshin aftësisë së shtetit për të “bërë diçka”. Që në fillim të presidencës së tij, një dekadë më parë, Emmanuel Macron paralajmëroi se kjo po bënte që Europa të humbiste “autonominë strategjike”, domethënë, në vija të përgjithshme, aftësinë e kontinentit për të vepruar në mënyrë të pavarur në një botë gjithnjë e më të dominuar nga Amerika dhe Kina.

Shumë vende anëtare e shpërfillën këtë si një tjetër veçori të çuditshme franceze, njësoj si pëlqimi për kërmijtë dhe zakoni për të marrë pushimet gjatë gjithë gushtit.

Por jo më. Sot, skepticizmi francez ndaj globalizimit dhe tregjeve të pakufizuara është shumë pranë shndërrimit në doktrinë mbizotëruese.

Rregullat e BE-së që dikur pengonin shpërndarjen e fondeve publike për të mbështetur kompanitë kombëtare më të rëndësishme janë thuajse harruar. Subvencionet, që dikur konsideroheshin dëshmi e mungesës së njohurive ekonomike, tani paraqiten si provë e një strategjie të sofistikuar.

“Politika industriale” ka kaluar nga një temë tabu në pjesë të mendimit mbizotërues. Ideja franceze se Europa ka qenë naive, duke i vendosur vetes kufizime ekonomike, ndërkohë që Amerika dhe Kina ndjekin pa asnjë ndrojtje interesat e tyre ekonomike, tashmë është bërë një pikëpamje e zakonshme.

Tregtia e lirë vazhdon të tolerohet, por vetëm për aq kohë sa nuk pengon objektivat më të gjera të Europës për të rifituar një shkallë të caktuar sovraniteti ekonomik.

Si arritën të triumfonin idetë franceze, ndërkohë që vetë Franca duket se ka dalë nga binarët? Pjesërisht, sepse ajo që dikur dukej si paranojë franceze, tani ngjan me largpamësi. Shumë në BE e përqeshën Macron kur, në një intervistë për The Economist në vitin 2019, paralajmëroi se Europa rrezikonte të mos ishte më “në kontroll të fatit të saj”.

Ngjarjet i dhanë të drejtë. Pandemia e Covid-19 bëri që zinxhirët globalë të furnizimit, të krijuar nga përkrahësit e zjarrtë të tregtisë së lirë, të mos dukeshin më një ide aq e mirë në sytë e disave.

Pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022 nxori në pah se mbështetja tek importet, në këtë rast të gazit natyror, krijonte varësi të padëshiruara, të ngjashme me ato që Kina do të shfrytëzonte më pas përmes lëndëve të para.

Dhe ndoshta, vetëm ndoshta, breza të tërë presidentësh francezë kishin pasur të drejtë kur paralajmëronin se Amerika një ditë mund të mos ishte më një garantuese e besueshme e sigurisë europiane.

Edhe zhvillimet e brendshme në Bashkimin Europian e kanë ndihmuar Francën. Brexit e privoi BE-në nga një fuqi, arsyeja kryesore e ekzistencës të së cilës në Bruksel ishte kundërshtimi i mendësisë franceze.

Kohët e fundit, edhe Gjermania ka bërë një kthesë të fortë në mbështetje të ndërhyrjes shtetërore në ekonomi, sipas modelit francez, pasi tregtia e lirë filloi të dukej shumë më pak tërheqëse kur kompanitë kineze nisën të konkurronin me sukses prodhuesit gjermanë të automobilave.

Merrni, për shembull, një sërë planesh “Prodhuar në Europë”, të propozuara nga Komisioneri i BE-së për Industrinë, Stéphane Séjourné, një francez i afërt me Macron. Ato parashikojnë që një pjesë e shpenzimeve publike të rezervohet për kompanitë e BE-së.

Dikur, një proteksionizëm i tillë do të ishte hedhur poshtë menjëherë nga zyrtarët në Berlin. Tani ata kërkojnë vetëm të sigurohen që të paktën disa vende aleate, si Britania dhe Kanadaja, të përfshihen në një përkufizim më të gjerë të Europës. Synimi është të zbuten planet franceze, jo të pengohen ato.

 

Ndikimi francez mbi Europën

Për europianët që tashmë ndihen të shqetësuar nga përqafimi i prirjeve franceze për ndërhyrjen e shtetit në ekonomi, të frymëzuara nga modeli i Jean-Baptiste Colbert, ekziston një mendim edhe më shqetësues: Macron mund të rezultojë versioni i moderuar i përpjekjes së Francës për të riformësuar BE-në.

Marine Le Pen, politikania populiste që aktualisht kryeson sondazhet, do të synonte ta riorganizonte Bashkimin Europian mbi baza më nacionaliste.

A do të pengohet zhvillimi i Europës nga përqafimi i ideve franceze, ashtu siç duket se ka ndodhur me vetë Francën? Jo domosdoshmërisht. Ekziston një ndryshim mes një shteti që ndërhyn në mënyrë strategjike dhe një shteti që shpenzon pa kriter.

Gjendja e Francës ofron mësime për të dyja rastet. Macron kishte të drejtë kur paralajmëroi se Europa ka nevojë për më shumë autonomi ndaj kundërshtarëve të jashtëm. Por edhe një vend që nuk arrin të kontrollojë financat e veta ka shumë pak autonomi. Franca e bëri saktë diagnozën, por fatkeqësisht gaboi në trajtimin e saj.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Azi / Bota /

Bumi i inteligjencës artificiale, eksportet e Koresë së Jugut drejt rritjes më të lartë në 50 vjet

Eksportet e Koresë së Jugut pritet të regjistrojnë në nëntor rritjen më të fortë në më shumë se gjysmë shekulli, ndërsa kërkesa globale për çipat e...

1 day më parë 3 Min Lexim

Franca hyn në recesion teknik pas rishikimit të të dhënave tremujore

Ekonomia franceze u tkurr më shumë nga sa ishte vlerësuar fillimisht në tremujorin e tretë, duke hyrë teknikisht në recesion, sipas të dhënave përf...

1 day më parë 3 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!