Saturday / November 28 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
200 kompanitë me fitime më të mëdha, 2025 Lajmet Kryesore Nga Vendi

Grupet me fitime më të mëdha në vend për vitin 2025

Share Share Icon

Nga sipërmarrje familjare që nisën me tregtinë në vitet ’90, disa prej bizneseve shqiptare janë shndërruar në konglomerate që qarkullojnë qindra milionë euro në vit, kanë interesa pothuajse në çdo sektor të ekonomisë dhe tashmë po i shtrijnë ambiciet e tyre shumë përtej kufijve të vendit.

Viti 2025 konfirmoi fuqinë financiare të këtyre grupeve, edhe pse jo të gjitha aktivitetet e tyre patën të njëjtën ecuri. BALFIN, grupi i dytë më i madh në vend sipas të ardhurave, kryesoi renditjen e fitimeve, me 12.7 miliardë lekë para taksave, ose rreth 130 milionë euro.

“Kastrati”, që vijon të jetë më i madhi sipas qarkullimit, me rreth 147 miliardë lekë, renditet i dyti për fitimet, me rreth 8.8 miliardë lekë.

Diferenca pasqyron edhe natyrën e aktiviteteve: karburantet qarkullojnë shumë para, por gjenerojnë marzhe të ulëta, ndërsa bankat, pasuritë e paluajtshme dhe koncesionet mbeten ndër bizneset me kthimet më të larta.

Pas dy grupeve kryesore, diferenca është e ndjeshme. “Concord Group” realizoi 2.2 miliardë lekë fitime, “Union Financiar Group” rreth 2 miliardë lekë, “Agna” 1.8 miliardë lekë dhe “Gjonaj Group” 1.64 miliardë lekë. “Bigalb” dhe EHW raportuan secili rreth 1.5 miliardë lekë fitime.

Rezultatet e tyre pasqyrojnë modele të ndryshme biznesi, nga zhvillimi i pasurive të paluajtshme dhe hoteleria te shërbimet financiare, tregtia, industria përpunuese dhe energjia.

Por historia e grupeve të mëdha nuk po shkruhet më vetëm brenda kufijve shqiptarë. Pasi kanë zgjeruar aktivitetet në pothuajse çdo sektor që u ofron mundësi në tregun vendas, disa prej tyre po e kërkojnë rritjen e ardhshme në tregje shumë më të mëdha. Investimet nuk kufizohen më te vendet fqinje, por shtrihen në Europën Qendrore dhe deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Edhe statistikat po pasqyrojnë këtë orientim. Sipas Bankës së Shqipërisë, investimet shqiptare jashtë vendit arritën në 302 milionë euro në vitin 2025, me rritje prej 25% krahasuar me një vit më parë.

Rreth 65% e shumës përbëhej nga injektime të reja kapitali në shoqëri të kontrolluara jashtë vendit.

Për grupet më të mëdha, zgjerimi ndërkombëtar nuk është më thjesht një mundësi për të provuar tregje të reja. Ai po bëhet pjesë e strategjisë së tyre të rritjes, duke ulur varësinë nga një ekonomi e vogël dhe duke i vendosur përballë konkurrencës në tregje ku përmasat, kapitali dhe aftësitë menaxheriale marrin një rëndësi tjetër.

 

 

BALFIN

Grupi BALFIN, me interesa në tregti me pakicë, qendra tregtare, ndërtim, turizëm, banka, është i dyti më i madh sipas qarkullimit vjetor, por prej vitesh është i pari për fitimet e gjeneruara.

Të ardhurat e 9 kompanive kryesore të grupit në Shqipëri në 2025-n ishin rreth 37 miliardë lekë, me tkurrje 28% me bazë vjetore. Rënia është e lidhur me daljen nga grupi të rrjetit të supermarketeve “SPAR Albania”. Që nga mesi i vitit 2025, kjo shoqëri nuk është më pjesë e grupit, pas shitjes te sipërmarrja nga Kosova, “Viva Fresh”.

Në vitin 2024, “Spar” ishte kompania më e madhe e grupit, sipas të ardhurave, me 25% të totalit. Një tjetër arsye lidhet me tkurrjen e qarkullimit nga “Green Coast”, teksa shitja e vilave në resortin me të njëjtin emër është drejt fundit.

Duke përfshirë dhe aktivitetin jashtë Shqipërisë, Grupi BALFIN raportoi një total të ardhurash për të gjithë sektorët e veprimtarisë së grupit në përputhje me pasqyrat financiare të konsoliduara dhe të audituara në vlerën 65.1 miliardë lekë në vitin 2025, nga 63.2 miliardë lekë në 2024-n.

Të dhënat nuk përfshijnë “Spar” dhe “Fashion Group Albania”, të dyja të shitura në vitin 2025.

Po sipas të dhënave nga bilanci i konsoliduar i grupit, fitimi total para taksave, pas eliminimit të palëve të lidhura ishte 12.7 miliardë lekë para taksave dhe rreth 11 miliardë lekë neto, ose rreth 113 milionë euro, me kursin mesatar të 2025-s, nga 11.4 miliardë lekë vitin e mëparshëm.

Sipas raportit të aktivitetit të grupit, në vitin 2025, sektori i shitjes me pakicë ishte më fitimprurësi, me 3.6 miliardë lekë fitim neto, ose rreth 33% të fitimit të përgjithshëm. Ai ndiqej nga sektori bankar, me 3.1 miliardë lekë fitim neto (28%), dhe pasuritë e paluajtshme, me 2.9 miliardë lekë (26%).

Aktivitetet e tjera realizuan 1.9 miliardë lekë fitim neto (17%). Ndërkohë, sektori i shërbimeve regjistroi humbje neto prej rreth 498 milionë lekësh, i ndikuar kryesisht nga rezultati negativ i konsoliduar i shoqërisë “Acrem”.

Nga aktivitetet në Shqipëri, fitimet më të larta i gjeneroi Banka e Tiranës, me 3.4 miliardë lekë para taksave, e ndjekur nga “Green Coast”, me 1.7 miliardë lekë. Në 2024-n ishte “Green Coast” që kryesonte me 6 miliardë lekë para taksave, e lidhur me kulmimin e ciklit të shitjes së vilave.

 

 

Kastrati

Grupi “Kastrati”, tregtuesi më i madh i karburanteve në vend, me aktivitet në fushën e sigurimeve dhe të tregtimit të automjeteve, është diversifikuar vitet e fundit në ndërtim dhe hoteleri, dhe në fushën e aviacionit, duke marrë koncesionin e “Tirana International Airport”. Grupi është më i madhi në vend sipas të ardhurave.

Qarkullimi vjetor i grupit në vitin 2025, sipas të dhënave paraprake, ishte rreth 147 miliardë lekë. “Kastrati Energy Trade” dhe “Kastrati Energy”, përkatësisht në tregtimin me shumicë dhe pakicë të karburanteve, mbajnë peshën kryesore të të ardhurave, me rreth 72% të totalit, të ndjekura nga “Tirana International Airport”, me rreth 9%.

Grupi është i vetmi në Shqipëri që qarkullon më shumë se 100 miliardë lekë (mbi 1 miliard euro) në vit, për shkak të volumeve të mëdha që kryhen nga treguesi me shumicë dhe pakicë i karburanteve.

Megjithatë, ai renditet i dyti në listën e grupeve me fitime më të larta, për shkak të normave të ulëta që gjeneron aktiviteti i tregtimit të karburanteve që ka norma maksimumi prej 5% në pakicë dhe deri në 2% për shumicën.

Në 2025-n, fitimet para taksave të grupit ishin rreth 8.8 miliardë lekë, sipas të dhënave paraprake (pjesa më e madhe e kompanive nuk kanë dorëzuar ende bilanc për shkak të riorganizimit të grupit). Aeroporti i Rinasit, i cili administrohet përmes koncesionit, është aktiviteti më fitimprurës i grupit, duke gjeneruar më shumë se gjysmën e fitimeve.

 

 

“Concord Group”

“Concord Group” është grupimi i disa kompanive në fusha të ndryshme me fokus në ndërtim, media, telekomunikacion. “Concord Investment” dhe “Edil-Al–It” janë dy shoqëritë kryesore të përqendruara në ndërtim.

Grupi është zgjeruar dhe në turizëm, me ndërtimin e kompleksit rezidencial “San Pietro” dhe një hoteli me 500 dhoma në Gjirin e Lalëzit, nën markën e njohur spanjolle “Meliá”, duke u bërë një nga investimet më të suksesshme në turizëm.

Grupi ka interesa dhe në programet televizive, nëpërmjet platformës me pagesë “Tring” dhe televizionit “Vizion Plus”. Të ardhurat e kompanive të grupit ishin rreth 17 miliardë lekë në vitin 2025, me zgjerim prej 3.2% me bazë vjetore.

Fitimet e grupit u rritën me 335 në 2.2 miliardë lekë, duke e bërë atë të tretin më të madh nga fitimet në vend. Përmirësimi erdhi nga “Concord Investment” dhe “Managment Hospitality Albania”, që administron hotelin “Meliá”. Të dyja këto shoqëri janë dhe më fitimprurëset e grupit.

 

 

Union Financiar Grup

“Union Financiar Grup” është një grup financiar me kapital vendas. Grupi përfshin “Union Bank”, “Union Financiar Tiranë”, “Landeslease”, “Paylink”.

Sipas të dhënave të bilancit, të ardhurat e grupit në Shqipëri ishin 9 miliardë lekë në vitin 2025, me zgjerim vjetor prej 9%, të udhëhequra për të dytin vit radhazi nga rritja e “Union Bank”.

Grupi raportoi fitime rreth 2 miliardë lekë në vitin 2025, pothuajse në nivelet e vitit të mëparshëm, me “Union Bank”, që është performuesja më e mirë.

 

 

Grupi Agna

Grupi “Agna” është distributori më i madh në vend dhe ka njohur zgjerim vit pas viti. Krahas tregtimit me shumicë, grupi ka aktivitet edhe në prodhimin dhe ambalazhimin e pijeve freskuese dhe vitet e fundit ka hyrë dhe në segmentin e prodhimit të birrës.

Dy kompanitë kryesore të grupit, “Agna” sh.a. (shpërndarës produktesh dhe investues) dhe “Alfa” sh.a. (ambalazhues i “Pepsi”, “Ivi”, “7Up”, “Lipton Ice Tea”; prodhues i “Glina” dhe “Spring”; shpërndarës i “Heineken”, “Amstel”, “Alfa Beers”, “Tsantali Wines” dhe “Shark Energy Drink”), realizuan për vitin 2025 një xhiro prej rreth 29 miliardë lekësh, në nivelet e vitit të mëparshëm.

Grupi deklaroi fitime 1.8 miliardë lekë në vitin 2025, në rënie, pasi nga viti 2025, një pjesë e konsiderueshme e funksioneve të logjistikës dhe të shitjes që kryheshin nga “Alfa” sh.a., kaluan tek “Agna” sh.a.

 

 

Gjonaj Group

“Gjonaj Holding Group” ka një portofol në telekomunikacion, transferime të procesit të biznesit, tregtim dhe gjenerim të qëndrueshëm të energjisë dhe ndërtim e zhvillim të pronës së lartë.

Kompania kryesore e grupit është “Info Telecom”, me aktivitet në tranzitin e shërbimeve zanore, “Transit”, mesazhe dhe zgjidhje të personalizuara të menaxhimit të shërbimeve. Aktiviteti tjetër është tregtimi i energjisë, përmes “Ener Trade”, ndërsa grupi po investon dhe në energjinë diellore.

Të ardhurat e dy shoqërive kryesore ishin rreth 36 miliardë lekë në vitin 2025, me rritje të fortë prej 29%, të ndikuara nga shtimi i shpejtë i xhiros së “Ener Trade”, e lidhur me vitin e thatë, që kërkoi blerje energjie.

Fitimi i grupit u rrit ndjeshëm me 77%, në 1.64 miliardë lekë në 2025-n, i ndikuar nga performanca e mirë e “Ener Trade”.

 

 

Grupi Bigalb

“Bigalb” është grupi më i madh në vend me aktivitet në zinxhirin e supermarketeve. Nëpërmjet dy kompanive kryesore të tij, “Big Market” dhe “Tirana Cash and Carry”, të ardhurat totale arritën në 32 miliardë lekë në vitin 2025, me zgjerim 3%.

Grupi gjeneroi fitime prej 1.5 miliardë lekësh në vitin 2025, i ndikuar nga performanca e “Big Market”.

 

 

Grupi EHW

Grupi EHW është ndër më të mëdhenjtë në vend me aktivitet të përqendruar në industrinë përpunuese, si përpunimi i mishit (marka EHW), prodhimi i ujit (marka “Qafshtama”) dhe vitet e fundit është zgjeruar dhe në zinxhirin e supermarketeve me aksione në “Conad”.

Prej disa vitesh, kompania publikon bilanc të konsoliduar për grupin, nën logon e EHW. Të ardhurat e grupit në vitin 2025 ishin 8.7 miliardë lekë, me rritje 12% me bazë vjetore.

Fitimet e grupit ishin 1.5 miliardë lekë në vitin 2025. Gati gjysma e fitimeve vijnë nga rrjeti i tregtisë me pakicë të supermarketeve, “Conad Albania”. Kompania e dytë më fitimprurëse është “Qafshtama’, duke sjellë rreth 30% të fitimeve.

 

IGMJ Group

Grupin IGMJ përfshin sipërmarrjet e z. Grigor Joti, që tashmë janë kryesisht në fushën e distribucionit, pasi në vitin 2023, ai shiti aksionet e “InfoSoft System Tiranë”, një prej kompanive më të hershme në vend, e krijuar në vitin 1995.

Ai vijon të jetë aktiv në “Inter Trade & Distribution”, “Inter Distribution Service”, nëpërmjet grupit “Investment Joti”, sipërmarrje që janë të përqendruara në shpërndarjen me shumicë të produkteve.

Grupi ka interesa dhe në pasuritë e paluajtshme, nëpërmjet “InRe” dhe “InveG”. Qarkullimi vjetor i kompanive të grupit në 2025-n ishte 32.7 miliardë lekë, me rritje 11.8%. Peshën kryesore e zënë shoqëritë e angazhuara në tregtimin me shumicë të produkteve të ndryshme.

Fitimi i grupit ishte gati 1.1 miliardë lekë në vitin 2025, me kontributin kryesor, më se gjysmën, që e ka dhënë “Inter Trade & Distribution”.

 

 

“Ulaj”

“Grupi Ulaj” është më i madhi në sektorin e ndërtimit në Shqipëri, nëpërmjet kompanisë “Gener 2”. Krahas ndërtimit janë zhvilluar dhe aktivitetet e qendrave tregtare (“Qendra Toptani” dhe “Coin”), qiradhënies (“Aba Business Center”), të cilat raportohet po si pjesë e aktivitetit të “Gener 2”.

Grupi është zgjeruar dhe në energji, përmes hidrocentralit Dragobia, ndërsa ka investuar dhe në energjinë përmes diellit. Grupi ka marrë dhe koncesionin për projektimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Thumanë-Kashar. Prej disa vitesh, pjesë e grupit është dhe televizioni i lajmeve “A2”, partner ekskluziv i CNN. Të ardhurat e grupit ishin 10.4 miliardë lekë në vitin 2025, me rënie 39.5%, të ndikuara nga cikli i aktivitetit të ndërtimit të “Gener 2”.

Pavarësisht rënies së të ardhurave, fitimet u rritën me 20%, në 742 milionë lekë në vitin 2025, me kontribuuesin kryesor që është “Gener 2”.

 

 

“SIGAL Insurance Group”

“SIGAL Insurance Group” ka si aktivitet kryesor sigurimet e jetës dhe jo-jetës, përmes kompanive që operojnë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Grupi është zgjeruar gjatë viteve përtej tregut vendas, duke ndërtuar një prani rajonale në sektorin e sigurimeve dhe shërbimeve financiare. Aktiviteti i tij zhvillohet përmes 8 kompanive, me mbi 2 mijë punonjës dhe agjentë dhe mbi 1.5 milionë klientë.

Në vitin 2025, grupi, sipas burimeve zyrtare, raportoi të ardhura totale prej 12.1 miliardë lekësh.

 

LEXONI EDHE:

200 kompanitë me fitime më të larta; Ekonomia e shtrembëruar nga tenderat dhe informaliteti

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Televizionet, pas “Klan”, edhe “Top Channel” hyn në listën e 200 më të mëdhenjve për fitimet

Të ardhurat e 10 televizioneve kryesore në vend arritën në rreth 6.8 miliardë lekë në vitin 2025, apo në rreth 70 milionë euro, sipas bilanceve zyr...

9 minutes më parë 8 Min Lexim

Ngadalësohet biznesi i turizmit dentar, tregu po diversifikohet përtej Italisë

Për vite me radhë, mjaftonte të gjeje pacientë italianë që kërkonin dhëmbë të rinj me çmime më të lira për të ngritur një biznes fitimprurës në Shq...

11 minutes më parë 15 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!