Shumë qendra tregtare, por vetëm TEG e QTU fitojnë, teksa pritet të shtohen të tjera

Që nga viti 2005, kur u hap qendra e parë e mirëfilltë tregtare në vend, numri i tyre u shtua me shpejtësi në dekadën që pasoi. Por vetëm pak prej tyre arritën të tërhiqnin marka dhe vizitorë, ndërsa pjesa më e madhe u shndërruan në hapësira, ku kalojnë pak blerës.
Stela Dhami, drejtore e “Colliers International Albania”, pohon se një pjesë e madhe e qendrave tregtare në vend nuk kanë arritur sukses për shkak të mungesës së menaxhimit profesional të pronës.
“Shumë prej tyre nuk kanë struktura të mirëfillta ‘property management’, që të planifikojnë marketingun, të ndërtojnë programe tërheqëse për klientët apo të mbajnë marrëdhënie afatgjata me qiramarrësit”, shpjegon ajo.
Kjo mungesë profesionalizmi bën që hapësirat të trajtohen thjesht si ndërtesa me qira, pa strategji për frekuentim apo përvojë konsumatore dhe rrjedhimisht, vetëm pak qendra të arrijnë rezultate të qëndrueshme.
Sot, në vend ka tre qendra të mëdha të “zëna”, TEG, QTU dhe “Toptani”. Fluksi i lartë i turistëve vitet e fundit dhe numri i lartë i vizitorëve nga Kosova kanë shërbyer si amortizatorë vitet e fundit ndaj tkurrjes së popullsisë dhe emigrimit të të rinjve.
“Tirana East Gate” (TEG), pjesë e Grupit BALFIN, që u hap në fund të 2011-s, është qendra më e madhe në vend, në sipërfaqe dhe të ardhura.
Në vitin 2025, shoqëria, që jep gjithsej me qira 51 mijë metra katror (GLA) raportoi të ardhura prej 1.8 miliardë lekësh, me rritje 5% me bazë vjetore. Fitimet u tkurrën me 4% në 929 milionë lekë. Norma e fitimit ishte rreth 51%.

“Qendra Tregtare Univers”, po pjesë e Grupit BALFIN, ishte e para që solli konceptin e tregtisë së organizuar në vitin 2005 dhe më pas “u kopjua” nga shumë të tjerë. Qendra, që jep me qira 29 mijë metra katror, kishte të ardhura prej 716 milionë lekësh në 2025-n, me rritje 6%.
Fitimet ishin 321 milionë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel me vitin e mëparshëm. Norma e fitimit rezultoi në nivelin e rreth 45%. Të dyja qendrat e Grupit BALFIN tregtojnë kryesisht veshjet e segmentit të ulët dhe të mesëm dhe janë prej vitesh pjesë e listës së “Monitor 200”, sipas fitimeve.

Pas Grupit BALFIN, investitori i dytë më i madh në qendra tregtare është “Gener 2”. Shoqëria menaxhon “Toptani Shopping Center”, me 24 mijë metra katror GLA dhe “Aba Trade Coin”, me 8.5 mijë metra katror.
Sipas të dhënave në bilancin e “Gener 2”, të ardhurat nga qiratë, shërbim në qendrat e biznesit, qira veshjesh dhe komisione Coin ishin 1.47 miliardë lekë në 2025-n, me rritje rreth 5%, duke sjellë rreth 15% të totalit të të ardhurave të “Gener 2” në vitin 2025 (pjesa tjetër gjenerohet nga ndërtimi). Nuk ka të dhëna të detajuara se sa është fitimi që ka ardhur nga aktiviteti i qendrave.
“CityPark” është qendra e dytë më e madhe në vend për nga sipërfaqja e dhënë me qira, me 40 mijë metra katror. E hapur në 2009-n, qendra, një ndërtim luksoz për kohën, nuk arriti të tërheqë një klientelë më të përzgjedhur, siç synonte me dyqanet më të shtrenjta dhe sot është praktikisht e falimentuar.
Aksionet janë të sekuestruara nga Tatimet për mospagim detyrimesh, duke bllokuar dhe shitjen e saj.
Në vitin 2025, të ardhurat ishin vetëm 28 milionë lekë dhe humbjet 1.8 milionë lekë.
“Tirana Ring Center” është qendra e pestë më e madhe në vend, nga sipërfaqja, me 24 mijë metra katror GLA. Të ardhurat e shoqërisë “MSA Konstruksion”, që menaxhon këtë qendër, ishin 744 milionë lekë, me rritje 5.6% nga viti 2024. Fitimet ishin minimale në 29 milionë lekë, me një normë prej vetëm 3.9%.
“Mega Outlet”, ish-“Casa Italia”, me 16.6 mijë metra katror GLA, kishte të ardhura 96 milionë lekë, me rënie prej 3.2% dhe fitime prej 17 milionë lekësh.

Në total, sipas të dhënave nga “Colliers International”, në Tiranë dhe periferi, sipërfaqja e qendrave tregtare që jepet me qira (GLA-Gross Leasable Area in Commercial Real Estate) ishte 265 mijë metra katror, ose 112 metra katror për 1000 banorë, më e ulët sesa mesatarja e Bashkimit Europian prej 355 metrash, sipas të dhënave nga “CPI Property Group”.
Në 2025-n, kjo sipërfaqe qëndroi praktikisht e pandryshuar.
Tregu ka qenë i ngrirë prej disa vitesh, pavarësisht interesit që ka pasur nga investitorët. Stela Dhami e “Colliers” thotë se projektet e kullave shumëkatëshe për të cilat janë dhënë leje ndërtimi në kryeqytet parashikojnë dhe hapësira të mëdha për qendra tregtare. “Ka shumë projekte të mëdha në letër, por jo në realitet”. Znj. Dhami shton se këto projekte do të kenë jashtëzakonisht vështirësi në realizim dhe pastaj në shitje sepse janë shumë të mëdha.

QTU dhe TEG, me normat më të larta të fitimit në Ballkan
Pas viteve ’90, qendrat tregtare u kthyen në një nga simbolet e transformimit të ekonomive të Ballkanit Perëndimor, duke zëvendësuar gradualisht modelin tradicional të tregtisë me komplekse moderne, ku bashkohen dyqanet e markave ndërkombëtare, gastronomia dhe argëtimi.
Nga qendrat e para të ndërtuara në kryeqytetet e rajonit, investimet u zgjeruan drejt komplekseve gjithnjë e më të mëdha, ndërsa tregu tërhoqi edhe grupe ndërkombëtare të pasurive të paluajtshme.
Por përmasat e investimeve dhe të ardhurat nuk përkthehen domosdoshmërisht në norma më të larta fitimi. Në krahasimin rajonal për vitin 2025, modeli më fitimprurës ndër operatorët e analizuar rezulton ai i dy qendrave tregtare të grupit BALFIN në Shqipëri.
“Tirana East Gate” (TEG) dhe “Qendra Tregtare Univers”, me norma rreth 501% dukshëm mbi nivelet e operatorëve të mëdhenj të identifikuar në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Në Serbi, qendrat tregtare të Beogradit realizojnë të ardhura të konsiderueshme nga qiratë dhe administrimi i hapësirave. Sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrave të Biznesit (APR), të publikuara nga “CompanyWall”, “UšÄ‡e Shopping Center” realizoi rreth 26.9 milionë euro të ardhura dhe 6.7 milionë euro fitim neto në vitin 2025, me normë fitimi 25%.
Një tjetër operator, “Delta City 67”, raportoi rreth 19 milionë euro të ardhura dhe 5.2 milionë euro fitim neto, me normë 27.4%.
Në Kosovë, “Prishtina Mall”, një nga investimet më të mëdha private në vend, realizoi 15.92 milionë euro të ardhura në vitin 2025, por e mbylli vitin me 136 mijë euro humbje. Sipas pasqyrave financiare të audituara, të raportuara nga “Kujdestari”, 10.59 milionë euro të ardhura erdhën nga qiratë dhe 3.46 milionë euro nga tarifat e shërbimeve.
Rezultati operativ para interesave, tatimeve dhe amortizimit (EBITDA) ishte afro 8 milionë euro, por amortizimi prej 7.17 milionë eurosh dhe shpenzimet financiare ndikuan në rezultatin përfundimtar negativ.
Qendra u hap në mars 2023 dhe ka rreth 115 mijë metra katrorë sipërfaqe për t’u dhënë me qira. Në një intervistë të mëparshme për “Monitor”, Fatmir Zymberi, kryetar i Bordit të “Prishtina Mall”, deklaroi se qendra kishte mbi 240 marka ndërkombëtare dhe vendase, ndërsa gjatë fundjavave dhe festave, 20-25% e vizitorëve vinin nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Ai theksoi edhe rëndësinë e marrëveshjes së financimit deri në 75 milionë euro me Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), për investime në eficiencë energjetike dhe modernizimin e kompleksit.
Në Mal të Zi, “BIG Fashion Podgorica”, ish-“Delta City”, është një nga qendrat kryesore tregtare. Sipas “CompanyWall”, shoqëria “Limelight Center”, e lidhur me administrimin e kompleksit, realizoi 13 milionë euro të ardhura dhe 3.54 milionë euro fitim neto në vitin 2025, me normë 27.1%.
Në Bosnjë-Hercegovinë, “Delta Real Estate”, shoqëria e lidhur me qendrën “Delta Planet” në Banja Luka, raportoi 23.7 milionë marka konvertibile, ose rreth 12.1 milionë euro të ardhura në vitin 2025, sipas “CompanyWall”.
Në Sarajevë, “Al-Shiddi International”, e lidhur me kompleksin “Sarajevo City Center”, realizoi rreth 4.9 milionë euro të ardhura. Kompleksi përfshin edhe aktivitete të tjera, ndaj shifra nuk përfaqëson domosdoshmërisht vetëm të ardhurat nga qiratë e hapësirave tregtare.
Në Maqedoninë e Veriut, tregu përqendrohet kryesisht në Shkup, me dy komplekset e mëdha “Skopje City Mall” dhe “East Gate Mall”. “Skopje City Mall” është pjesë e portofolit të grupit ndërkombëtar të investimeve “Hyprop Investments”, ndërsa “East Gate Mall” është pjesë e një zhvillimi më të gjerë tregtar dhe rezidencial.
Për këto dy qendra nuk ka të dhëna mbi ecurinë në 2025-n.

LEXONI EDHE:
200 kompanitë me fitime më të larta; Ekonomia e shtrembëruar nga tenderat dhe informaliteti
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









