Shqipëri-Kosovë, nga tregtia drejt zinxhirëve të përbashkët të prodhimit dhe eksportit

Flet Skënder Krasniqi, kryetar i Bordit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK)
Kosova dhe Shqipëria kanë mundësi të krijojnë së bashku një platformë të përbashkët ekonomike. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për shkak të madhësisë së kufizuar të tregjeve të tyre individuale. Vetë BE-ja e konsideron integrimin rajonal si një mënyrë për të kapërcyer fragmentimin e tregjeve dhe për t’i bërë kompanitë më konkurruese përpara hyrjes në Tregun Unik.
Bashkëpunimi ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës duhet të kalojë në një fazë të re, nga shkëmbimet tregtare dhe investimet e veçuara drejt krijimit të zinxhirëve të përbashkët të prodhimit dhe eksportit.
Dy vendet kanë potencial për të bashkuar kapacitetet prodhuese dhe për të rritur konkurrueshmërinë në tregjet europiane, veçanërisht në kushtet kur kompanitë e BE-së po kërkojnë furnizues më pranë tregjeve të tyre.
Në një intervistë për “Monitor”, Skënder Krasniqi, kryetar i Bordit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK), thotë se investimet mes dy vendeve janë zgjeruar në sektorë të rinj.
Kapitali nga Shqipëria është shtrirë përtej sektorit financiar, ndërsa bizneset kosovare po rrisin praninë në Shqipëri, së fundmi edhe në media, teknologji dhe industri përpunuese.
Megjithatë, potenciali i bashkëpunimit mbetet ende i pashfrytëzuar. Kriza politike në Kosovë ka frenuar investimet, ndërsa marrëveshjet e shumta të nënshkruara mes dy qeverive shpesh nuk zbatohen.
Sipas z. Krasniqi, nevojiten mekanizma konkretë që këto marrëveshje të përkthehen në investime, partneritete dhe vende pune.
Ai vlerëson se prodhimi, turizmi dhe energjia ofrojnë mundësitë më të mëdha për bashkëpunim, ndërsa Shqipëria mund të shërbejë edhe si portë për bizneset kosovare drejt tregjeve ndërkombëtare.
Si e vlerësoni ecurinë dhe situatën aktuale të ekonomisë së Kosovës? Cilët janë sektorët që po tregojnë më shumë potencial dhe cilat janë sfidat kryesore për bizneset?
Kosova, gjatë viteve të fundit, është përballur me presione të ndryshme që kanë pasur ndikim shumë të madh në të bërit biznes dhe në ekonomi. Kriza e gjatë politike dhe vendimet “ad hoc” kanë shkaktuar dëme të mëdha, me pasoja afatgjata për ekonominë tonë, edhe ashtu të brishtë.
Besojmë se tani, pas zgjedhjes së presidentit dhe tejkalimit të krizës dyvjeçare, qeveria do të ketë mundësi të ecë më shpejt përpara në zhvillimin ekonomik.
Aktualisht, sektorët me potencialin më të madh për zhvillim janë teknologjia dhe shërbimet digjitale, prodhimi i orientuar drejt eksportit, energjia, bujqësia dhe agropërpunimi, turizmi dhe shërbimet, ndërtimtaria dhe pasuritë e paluajtshme.
Çfarë peshe kanë sot bizneset me kapital shqiptar në ekonominë e Kosovës? Në cilët sektorë janë më të pranishme dhe si ka evoluar roli i tyre gjatë viteve të fundit?
Çdo investim është i mirëseardhur dhe ka rëndësi të veçantë për ekonominë tonë. Kjo rëndësi bëhet edhe më e madhe kur investimi vjen nga shteti ynë amë, sepse forcon besimin e ndërsjellë mes shqiptarëve dhe nxit investime të mëtejshme.
Fillimisht, investimet nga Shqipëria kanë qenë të përqendruara në sektorin financiar, përkatësisht në banka, institucione mikrofinanciare dhe kompani sigurimesh. Gjatë viteve të fundit, kemi parë zgjerim të investimeve edhe në ndërtimtari, pasuri të paluajtshme, prodhim, tregti dhe energji.
Si e vlerësoni aktualisht interesin e bizneseve nga Shqipëria për të investuar në Kosovë dhe, anasjelltas, të bizneseve të Kosovës për të investuar apo për të zgjeruar aktivitetin në Shqipëri? Ku shihni më shumë interes konkret?
Siç e theksova, investimet nga Shqipëria kanë rëndësi të madhe për ne, për shkak të lidhjeve dhe faktorëve të shumtë që kemi të përbashkët.
Fatkeqësisht, situata politike gjatë viteve të fundit ka zbehur interesin për investime në përgjithësi dhe ka nxitur edhe bizneset tona të kërkojnë mundësi investimi jashtë Kosovës. Tirana është natyrshëm një nga destinacionet e para, si për shkak të lidhjeve mes dy vendeve, ashtu edhe për shkak të ofertës dhe mundësive që ofron sot.
Ndërsa fillimisht investimet tona në Shqipëri kanë qenë kryesisht në turizëm dhe në qendra tregtare, veçanërisht gjatë dy viteve të fundit po shohim një zgjerim të tyre në media, teknologji informative dhe blerjen e bizneseve ekzistuese në sektorin e prodhimit.
Cilët janë sektorët ku ekziston potenciali më i madh për investime dhe bashkëpunim mes kompanive të Kosovës dhe Shqipërisë?
Mendojmë se sektori me potencialin më të madh është prodhimi. Rritja e kapaciteteve tona të përbashkëta prodhuese do të na mundësonte të jemi më konkurrues, si në tregjet vendase, ashtu edhe në ato të huaja.
Në këtë drejtim, prodhimi mbetet sektori kryesor, i ndjekur nga turizmi dhe energjia.
Si e shihni perspektivën e investimeve dhe bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë në vitet e ardhshme, veçanërisht në kushtet e integrimit gradual të Ballkanit Perëndimor në tregun europian?
Në vitet e ardhshme, bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë duhet të kalojë nga tregtia dypalëshe dhe investimet drejt krijimit dhe integrimit të zinxhirëve të përbashkët të prodhimit dhe eksportit në BE.
Kjo lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si BE-ja po e integron gradualisht Ballkanin Perëndimor në tregun e përbashkët.
Plani i Rritjes i BE-së synon pikërisht integrimin gradual në Tregun Unik, ndërsa Tregu i Përbashkët Rajonal shihet si një hap ndërmjetës drejt tij.
Kosova dhe Shqipëria kanë mundësi të krijojnë së bashku një platformë të përbashkët ekonomike.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për shkak të madhësisë së kufizuar të tregjeve të tyre individuale. Vetë BE-ja e konsideron integrimin rajonal si një mënyrë për të kapërcyer fragmentimin e tregjeve dhe për t’i bërë kompanitë më konkurruese përpara hyrjes në Tregun Unik.
Përveç sektorëve që përmenda në përgjigjen paraprake, të dyja vendet kanë mundësi të mëdha për të përfituar nga zhvendosja e prodhimit dhe furnizimit më afër tregjeve europiane, e njohur si “nearshoring”.
Për shkak të krizave dhe përplasjeve të ndryshme në botë, kompanitë europiane po kërkojnë gjithnjë e më shumë furnizues pranë tregjeve të tyre. Kosova dhe Shqipëria mund të përfitojnë nga kjo prirje nëse kompanitë e tyre bashkëpunojnë dhe integrohen në zinxhirë të përbashkët furnizimi.
Gjithashtu, Shqipëria ka lidhje të shumta tregtare dhe ekonomike, ndërsa Kosova përballet me kufizime për shkak të problemeve politike dhe pamundësisë për të qenë anëtare në të gjithë mekanizmat dhe organizatat europiane e botërore.
Në këtë kontekst, Shqipëria mund të shërbejë si një portë shumë e rëndësishme për transportin e mallrave dhe qasjen në tregjet ndërkombëtare.
Potenciali
Të dyja vendet kanë mundësi të mëdha për të përfituar nga zhvendosja e prodhimit dhe furnizimit më afër tregjeve europiane, e njohur si “nearshoring”. Për shkak të krizave dhe përplasjeve të ndryshme në botë, kompanitë europiane po kërkojnë gjithnjë e më shumë furnizues pranë tregjeve të tyre. Kosova dhe Shqipëria mund të përfitojnë nga kjo prirje nëse kompanitë e tyre bashkëpunojnë dhe integrohen në zinxhirë të përbashkët furnizimi.
Çfarë duhet të bëjnë qeveritë, dhomat e tregtisë dhe organizatat e biznesit në Kosovë dhe Shqipëri për të nxitur më tej bashkëpunimin ekonomik? A nevojiten masa konkrete për lehtësimin e investimeve, tregtisë dhe krijimin e partneriteteve të reja mes bizneseve të dy vendeve?
Kosova dhe Shqipëria kanë një numër të madh marrëveshjesh të nënshkruara, por shumë prej tyre nuk zbatohen siç duhet ose shkelen kur kjo u përshtatet qeverive të dy vendeve. Një shqetësim i madh për ne, si Dhomë e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, mbetet edhe bashkëpunimi i pamjaftueshëm mes dy qeverive.
Ajo që kërkojmë vazhdimisht nga të dyja qeveritë është krijimi i mekanizmave që i shndërrojnë marrëveshjet ekzistuese në investime, kontrata, partneritete dhe vende të reja pune.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë ka një bashkëpunim shumëvjeçar me dhomat e tregtisë dhe industrisë në Shqipëri. Partneriteti ynë ka sjellë bashkëpunime të shumta dhe ka hapur rrugë për investime në të dyja anët e kufirit.
Kemi bashkëpunuar në projekte që synojnë përgatitjen e ekonomive dhe bizneseve të të dyja vendeve për përmbushjen e kushteve të nevojshme për eksport drejt tregjeve të BE-së./ Intervistoi: Fatos Shala
Bashkëpunim i mangët
Kosova dhe Shqipëria kanë një numër të madh marrëveshjesh të nënshkruara, por shumë prej tyre nuk zbatohen siç duhet ose shkelen kur kjo u përshtatet qeverive të dy vendeve. Një shqetësim i madh për ne, si Dhomë e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, mbetet edhe bashkëpunimi i pamjaftueshëm mes dy qeverive. Ajo që kërkojmë vazhdimisht nga të dyja qeveritë është krijimi i mekanizmave që i shndërrojnë marrëveshjet ekzistuese në investime, kontrata, partneritete dhe vende të reja pune.
Kliko këtu për t’u regjistruar falas për të lexuar specialen e plotë për renditjen e kompanive më të mëdha në Ballkan për vitin 2025:
Monitor Special Edition | Ranking the Largest Companies in the Western Balkans in 2025
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









