Saturday / November 28 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Rajoni Western Balkans Monitor

Federata e Bosnjë-Hercegovinës në vitin 2025; Ekonomia rritet, por tregu i punës shtrëngohet

Share Share Icon

Renditja e 30 kompanive më të mëdha të Federatës sipas të ardhurave dhe fitimeve

 

Federata e Bosnjë-Hercegovinës, e cila përbën rreth 65% të ekonomisë së vendit, e mbylli vitin 2025 me të ardhurat e kompanive 41% më të larta se pesë vjet më parë, duke arritur në 79.3 miliardë marka konvertibile (KM), ndërsa marzhi neto i fitimit u rrit në 6.2%, niveli më i lartë i pesë viteve të fundit. Tregtia dhe industria përpunuese dominojnë strukturën e ekonomisë, ku kjo e fundit gjeneron 61.4% të eksporteve. Tregu i punës po shfaq shenja tensioni: numri i të punësuarve ra me 0.6%, ndërsa numri i kompanive u rrit me 2.3% dhe kostot e punës u rritën me 13.5%. Paga mesatare neto arriti në 1,420 KM (726 euro), ndërsa kostot totale vjetore të punës u rritën në 12.93 miliardë KM (6.61 miliardë euro).

 

Bosnjë-Hercegovina përbëhet nga dy entitete kryesore, Federata e Bosnjë-Hercegovinës dhe Republika Srpska, që kanë institucionet dhe kompetencat e tyre, si dhe Distrikti Brçko, i cili ka status të veçantë administrativ.

Të dhënat kombëtare të PBB-së përgatiten duke mbledhur të dhënat e këtyre dy entiteteve dhe të Distriktit Brçko.

Sipas të dhënave zyrtare për vitin 2024, nga Agjencia për Statistikën e Bosnjë-Hercegovinës, e cila publikon PBB-në sipas metodologjisë kombëtare dhe të dhënat e entiteteve dhe Brçkos, që agregohen në nivel vendi, Federata e Bosnjë-Hercegovinës zë rreth 65% të PBB-së së vendit, Republika Srpska, rreth 32% dhe Distrikti Brçko, midis 3-4%%

FIA, Agjencia Financiare-Informatike e Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, që administron regjistrin e raporteve financiare të kompanive të regjistruara në këtë Federatë, ka përgatitur një material të posaçëm për botimin e “Monitor” për kompanitë më të mëdha të Ballkanit, ku analizon zhvillimet ekonomike dhe kompanitë më të mëdha në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës në vitin 2025, në pjesën për të cilën FIA disponon të dhëna përkatëse.

FIA thekson se administron Regjistrin e raporteve financiare të shoqërive tregtare të regjistruara në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës (FBiH). Republika Srpska dhe Distrikti Brçko i Bosnjë-Hercegovinës kanë regjistrat dhe institucionet e tyre përkatëse, ndaj të gjitha të dhënat dhe komentet në vijim lidhen ekskluzivisht me FBiH-në dhe jo me Bosnjë-Hercegovinën në tërësi.

Për të njëjtën arsye, në vend të listës së 100 kompanive më të mëdha, FIA ka dhënë listën e 30 shoqërive tregtare më të mëdha në FBiH për vitin e biznesit 2025 – sipas të ardhurave dhe sipas fitimit.

Duke qenë se Federata e Bosnjë-Hercegovinës sjell rreth dy të tretat e ekonomisë së gjithë Bosnjë-Hercegovinës, po e botojmë të plotë materialin e përgatitur nga FIA.

Të ardhurat e të gjitha shoqërive tregtare në FBiH u rritën me 41% gjatë periudhës 2021–2025, nga 56 në 79,3 miliardë KM (40.5 miliardë euro), ndërsa marzhi neto i fitimit në vitin 2025 arriti në 6,2%, niveli më i lartë i pesë viteve të fundit.

 

 

Pesë kompanitë kryesore sipas të ardhurave së bashku realizuan 7,23 miliardë KM, ose 9,1% të të ardhurave totale të shoqërive tregtare në FBiH, çka tregon se kompanitë më të mëdha individuale përbëjnë një pjesë relativisht të kufizuar të bazës së përgjithshme të të ardhurave. (shiko tabelën: Tridhjetë shoqëritë tregtare më të mëdha në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës në vitin 2025 sipas të ardhurave).

Bingo d.o.o. Tuzla është shoqëria lider në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës si për nga të ardhurat, ashtu edhe për nga fitimi. Lista sipas fitimit është më e larmishme se lista sipas të ardhurave – përveç tregtisë, në të janë të përfaqësuara fuqishëm edhe prodhimi industrial (DPMetals, Heidelberg Materials Cement, Lukavac Cement, Feal), si dhe disa shoqëri që realizojnë fitime të larta me një numër relativisht të vogël punonjësish, çka tregon një nivel të lartë të fitimshmërisë për punonjës në këto kompani. (shiko tabelën: Tridhjetë shoqëritë tregtare më të mëdha në FBiH në vitin 2025 sipas fitimit)

 

Industritë që kryesojnë në listën e kompanive më të mëdha

Sipas FIA, në krye të listës sipas të ardhurave janë tregtia (Bingo, Konzum), energjia dhe sektori i naftës (JP Elektroprivreda BiH, Holdina, Hifa-Oil, Hifa-Petrol, Petrol BH Oil Company, GEN-I, JP Elektroprivreda HZ HB), si dhe telekomunikacionet (BH Telecom). Lista sipas fitimit nxjerr në pah më tej prodhimin industrial (DPMetals, Heidelberg Materials Cement, Lukavac Cement, Feal) si një segment shumë fitimprurës.

Në nivelin e gjithë ekonomisë, tregtia me shumicë dhe pakicë (1,79 miliardë KM) dhe industria përpunuese (1,24 miliardë KM) gjenerojnë fitimin neto më të madh nga të gjitha veprimtaritë, ndërsa industria përpunuese është edhe veprimtaria më e rëndësishme e orientuar drejt eksporteve në mesin e shoqërive tregtare të përfshira në regjistrin e FIA-s, me 61,4% të të ardhurave të tyre nga eksportet.

 

 

 

 

 

Veprimtaritë që kryesojnë, struktura e ekonomisë së FBiH-së sipas veprimtarive

Nga tabela (Struktura e plotë e treguesve financiarë të konsoliduar të shoqërive tregtare të Federatës së Bosnjë-Hercegovinës në vitin 2025, sipas fushave të veprimtarisë) duket qartë pse tregtia dhe industria përpunuese dominojnë listën e kompanive më të mëdha: tregtia me shumicë dhe pakicë (8.104 shoqëri, ose 28,3% e të gjitha shoqërive të regjistruara) gjeneron 46,3% të të ardhurave totale të ekonomisë së FBiH-së, ndërsa industria përpunuese, me rreth gjysmën e numrit të shoqërive (4.267), realizon 61,4% të eksporteve totale dhe është punëdhënësi më i madh individual, me 94.863 të punësuar.

Vetëm katër veprimtari e mbyllën vitin 2025 me efekt neto negativ (fitimi minus humbja): furnizimi me energji elektrike, furnizimi me ujë dhe menaxhimi i mbetjeve, administrata publike dhe mbrojtja, si dhe shëndetësia dhe mbrojtja sociale – të gjitha veprimtari të rregulluara ose kryesisht publike.

Sipas materialit, kjo lidhet kryesisht me çmimet e administruara dhe karakterin publik të shërbimeve dhe jo me gjendjen e përgjithshme të ekonomisë.

Të ardhurat më të larta nga eksportet sipas kantoneve i kanë Kantoni i Sarajevës, me 2,62 miliardë KM, Kantoni Zenicë-Dobojë, me 1,83 miliardë KM dhe Kantoni i Tuzlës, me 1,63 miliardë KM.

Ndërsa për fitimin për punonjës, më i dalluari është Kantoni i Hercegovinës Perëndimore, me 32.295 KM për punonjës, ose 148% mbi mesataren e FBiH-së prej 13.284 KM për punonjës.

 

 

Pagat, kryeson administrata publike

Analiza e veçantë e FIA-s për pagat dhe kostot e punës në FBiH për vitin 2025 (FIA Insights, “Pagat dhe kostot e punës në shoqëritë tregtare të FBiH-së sipas sektorëve”)[1] tregon se kostot totale vjetore të punës të shoqërive tregtare arritën në 12,93 miliardë KM (6,61 miliardë €), me rritje prej 13,5% krahasuar me vitin 2024 – rritje më e shpejtë se ndryshimi i numrit të të punësuarve, i cili në të njëjtën periudhë u ul lehtë (−0,6%).

Paga mesatare neto në shoqëritë tregtare të Federatës së BiH-së në këtë analizë është 1.420 KM (726 €) në muaj për punonjës, ndërsa paga mesatare bruto është 2.313 KM (1.183 €). Kostoja mesatare vjetore e punës për punonjës, e cila përveç pagës bruto, përfshin edhe pagesa të tjera për punonjësit dhe kostot e angazhimit të personave të tjerë fizikë, arrin në 35.043 KM (17.917 €), dukshëm më shumë se paga bruto e thjeshtëzuar e shumëzuar me 12 muaj, 27.760 KM (14.193 €).

Pagat mesatare neto më të larta u regjistruan në administratën publike dhe mbrojtjen 2.583 KM (1.321 €), shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale 2.078 KM (1.062 €) dhe furnizimin me energji elektrike 2.060 KM (1.053 €); të njëjtat tri veprimtari kryesojnë edhe për pagën bruto administrata publike 4.427 KM (2.263 €), informacioni dhe komunikacioni 3.316 KM (1.695 €), shëndetësia 3.263 KM (1.668 €). Paga mesatare neto më e ulët vijon të jetë në akomodim dhe shërbimin ushqimor 1.055 KM (539 €). Raporti mes pagës mesatare neto më të lartë dhe më të ulët është rreth 2,5 : 1.

Rritja nominale më e madhe e pagës neto krahasuar me vitin 2024 u regjistrua në akomodim dhe shërbimin ushqimor (+47,5%), arsim (+33,5%), ndërtim (+28,9%), art/argëtim/rekreacion (+28,5%) dhe tregti (+25,2%) – pesë veprimtari me rritje mbi 25%.

Rritjen më të ngadaltë e shënuan bujqësia (+5,9%) dhe furnizimi me energji elektrike (+7,5%). Pavarësisht rritjes më të shpejtë, akomodimi dhe shërbimi ushqimor mbetet veprimtaria me pagën mesatare më të ulët, çka tregon se një pjesë e rritjes lidhet me bazën e ulët fillestare.

Sa i përket shumës së përgjithshme të pagave të paguara, pjesën më të madhe e zënë industria përpunuese 2.927,2 milionë KM (1,50 miliardë €, 22,6% e shumës totale), dhe tregtia 2.778,7 milionë KM (1,42 miliardë €, 21,5%) – kryesisht për shkak të numrit të të punësuarve – ndërsa shëndetësia dhe mbrojtja sociale kontribuon me 1.587,2 milionë KM (811,5 milionë €, 12,3%).

[1] https://fia.ba/bs/news-content/7833

 

 

Mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar

Nga të dhënat e veta, FIA mund të evidentojë një sinjal të qartë të presionit në tregun e punës: numri i të punësuarve në shoqëritë tregtare të FBiH-së në vitin 2025 u ul lehtë (368.966, −0,6% krahasuar me vitin 2024), numri i shoqërive të regjistruara vijoi të rritet (28.634, +2,3%), ndërsa kostot totale të punës u rritën njëkohësisht me 13,5%.

Kjo ecuri tregon rritje të kostove të punës, shoqëruar me ulje të numrit të të punësuarve, por vetëm mbi bazën e të dhënave të FIA-s nuk është e mundur të përcaktohet në çfarë mase kjo është pasojë e mungesës së fuqisë punëtore.

 

Rritja e pagës minimale

Veprimtaria me pagën mesatare më të ulët (akomodimi dhe shërbimi ushqimor, 1.055 KM) shënoi edhe rritjen nominale më të shpejtë të pagave në vitin 2025 (+47,5%), ndërsa rritje mbi 25% u regjistrua edhe në katër veprimtari të tjera (arsim, ndërtim, art/argëtim/rekreacion, tregti) – një model që është pjesërisht në përputhje me efektin e pritshëm të rritjes së pagës minimale mbi pagat në nivelet e poshtme të shkallës së pagave, por që përfshin edhe veprimtari të cilat nuk janë domosdoshmërisht me paga të ulëta (p.sh. arsimi), çka tregon se në rritjen e pagave në vitin 2025 ndikojnë njëkohësisht edhe disa faktorë të tjerë. / Naida Kurdija

 

Kliko këtu për t’u regjistruar falas për të lexuar specialen e plotë për renditjen e kompanive më të mëdha në Ballkan për vitin 2025:

Monitor Special Edition | Ranking the Largest Companies in the Western Balkans in 2025

 

 

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Biznesi i operatorëve të veshjeve, më fitimprurësi në rajon

Tregu i veshjeve po njeh zgjerim, ku një nxitje e madhe po bëhen turistët. Në vitin 2025, sipas të dhënave të Doganave, u importua një sasi prej 74...

9 minutes më parë 10 Min Lexim

Televizionet, pas “Klan”, edhe “Top Channel” hyn në listën e 200 më të mëdhenjve për fitimet

Të ardhurat e 10 televizioneve kryesore në vend arritën në rreth 6.8 miliardë lekë në vitin 2025, apo në rreth 70 milionë euro, sipas bilanceve zyr...

11 minutes më parë 8 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!