Pamje të rënda nga protesta kombëtare e 28 Nëntorit në Tiranë tregojnë një tjetër episod të dhunshëm, ku një protestues shfaqet me një plagë të hapur dhe të gjakosur në zonën e nofullës.
Në video shihet momenti kur disa persona përpiqen t'i japin ndihmën e parë të riut, ndërsa nga plaga në fytyrën e tij nxirret një objekt i vogël, që në pamje ngjan me një fragment të fortë.
Personat që kanë publikuar pamjet në rrjet pretendojnë se objekti i nxjerrë nuk është thjesht gomë, por mund të përmbajë edhe elementë metalikë. Megjithatë, përbërja dhe natyra e tij nuk mund të përcaktohen vetëm nga pamjet filmike dhe kërkojnë ekspertizë.
Këto pamje vijnë në një ditë kur gjatë protestës janë raportuar edhe raste të tjera plagosjesh nga plumbat e gomës, duke rikthyer në vëmendje rastin e Erjon Vishkullit, të riut që më 24 tetor u godit në syrin e majtë dhe rrezikoi humbjen e shikimit në atë sy.
Një tjetër dëmtim i rëndë gjatë protestës ngre pikëpyetje serioze mbi municionin e përdorur dhe pasojat që ai mund të shkaktojë.
Kush e qëlloi këtë të ri dhe me çfarë municioni? Policia nuk mund të heshtë përballë këtyre pamjeve. Duhet të identifikohen efektivët përgjegjës dhe të hetohet përdorimi i municionit që po u shkakton dëmtime kaq të rënda protestuesve.