Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nderohet sakrifica e familjes Jashari dhe e UÇK-së

Prekazi

Në Ditën e Flamurit është shënuar edhe ditëlindja e 71-të e komandantit legjendar Adem Jashari, si dhe përvjetori i 29-të i daljes publike të UÇK-së. Shumë qytetarë, personalitete e përfaqësues politikë e vizituan Prekazin në këtë ditë përvjetorësh

Temperaturat e ulëta nuk i kanë ndalur qytetarët që këtë 28 Nëntor ta marrin rrugën drejt Prekazit.

Që në orët e hershme të mëngjesit, ata janë mbledhur në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, për të nderuar të rënët dhe për të kujtuar sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

Për Arbëresha Shalën, vizita e sivjetme në Prekaz ka një domethënie të veçantë.

“Në Prekaz kam ardhë çdo vit, por veç si vizitore për mi nderu ata të cilët e kanë dhënë jetën për neve, ndërsa sot ka me vrapu po për ata persona. Është tepër ndjenjë e veçantë e papërshkrueshme dhe sinqerisht”, ka thënë ajo.

E, Haxhi Nishori ka thënë se këtë vend e viziton vazhdimisht, për të mos lejuar që historia dhe sakrifica e të rënëve të bien në harresë.

Edhe 28 Nëntori bashkon shqiptarët në Prekaz LAJMET E MBRËMJES 28 Nëntori bashkon shqiptarët në Prekaz

“Meka e shqiptarëve është Prekazi ku mos me ardhë. Gati çdo vit unë vij në Prekaz. Unë vij më shpesh me vizitu, mos me lanë me u harru. E kanë harru historinë ata që e kanë pasë pushkën në dorë siç po shihet pas interesave e le më gjeneratat e reja”, ka thënë ai.

Edhe një tjetër qytetar shpreh rëndësinë që gjeneratat e reja të njihen më shumë me të kaluarën e vendit.

“Për të rinjtë ma shumë me lexu për historinë tonë për të kaluarën tonë”, ka thënë qytetari.

Përveç qytetarëve, Prekazin e vizituan edhe përfaqësues institucionesh dhe të partive politike, të cilët vendosën kurora dhe bënë homazhe te varrezat e Jasharëve.

Kryeministri Albin Kurti e ka përfshirë Prekazin e Adem Jasharit ndër tri ngjarjet pjesë të trashëgimisë së lavdishme historike që ndriçojnë të ardhmen e shqiptarëve.

Edhe Kurti: Kruja, Vlora e Drenica – trashëgimia që na ndriçon të ardhmen Arbëri Kurti: Kruja, Vlora e Drenica – trashëgimia që na ndriçon të ardhmen

“Në Prekaz, nga Vlora. 28 Nëntori nuk është vetëm Dita e Pavarësisë së Shqipërisë dhe e Flamurit Kombëtar, por edhe ditëlindja e kryekomandantit Adem Jashari dhe e shpalljes publike të UÇK-së në Llaushë nga Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi e Daut Haradinaj. Kruja e Skënderbeut në mes të shekullit XV, Vlora e Ismail Qemalit dhe Drenica e Adem Jasharit, në fillim e në fund të shekullit XX, janë trashëgimia e lavdishme historike e 28 Nëntorit që na e ndriçon të ardhmen e këtij shekulli të ri”, ka shkruar ai në Facebook.

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka thënë se shqiptarët u janë përjetë mirënjohës Jasharëve dhe UÇK-së.

“Për lirinë që ne sot e gëzojmë, Prekazi dhe familja Jashari kanë peshë të veçantë. Adem Jashari qysh herët e nisi angazhimin e tij në rezistencën e armatosur për çlirimin e Kosovës. As ai, as familja Jashari, burra e gra bashkë, nuk u dorëzuan. Ata rezistuan, prandaj edhe ne përjetë u jemi atyre mirënjohës dhe pikërisht rezistenca e tyre bëri që radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të shtohen”.

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, në Prekaz ka bërë thirrje për bashkim në mbrojtje të vlerave të luftës.

Edhe Haxhiu: Mirënjohje e përjetshme për familjen Jashari Arbëri Haxhiu: Mirënjohje e përjetshme për familjen Jashari

“Lufta për liri përfaqëson shkallën më të lartë të vetëdijes. Lufta për liri nuk është krim. Shteti i pavarur i Kosovës nuk është ndërmarrje e përbashkët kriminale. Edhe sot u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të rrinë të bashkuar, edhe më të bashkuar sesa që janë, në mbrojtje të vlerave më sublime që i kemi krijuar si komb”, ka thënë ajo.

Homazhe kanë bërë edhe veteranë dhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së e përfaqësues të pushtetit lokal.