Policia njofton se 12 persona janë arrestuar dhe 19 të tjerë janë proceduar penalisht pas akteve të dhunës gjatë tubimit të zhvilluar një ditë më parë në Tiranë. Sipas raportit, protestuesit kundërshtuan dhe goditën me sende të forta, përdorën lëndë piroteknike dhe bomba molotov kundër punonjësve të Policisë, bllokuan qarkullimin dhe dëmtuan pronën publike. Gjatë tubimit u lënduan 17 punonjës policie.
Njoftimi i plotë i Policisë sqaron se, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës gjatë tubimit, u arrestuan shtetasit: E. K., 32 vjeç; H. Xh., 18 vjeç; S. A., 53 vjeç; M. D., 47 vjeçe; B. H., 25 vjeç; E. D., 27 vjeç; L. V., 55 vjeç; E. C., 32 vjeç; K. J., 31 vjeç; Y. M., 38 vjeçe; Sh. Ç., 29 vjeç; dhe D. Ç., 23 vjeç. Gjithashtu, u proceduan penalisht 19 shtetas të tjerë.
Specialistët për Hetimin e Krimit, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit, identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për një seri veprash penale që përfshijnë: “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Hetimet vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje dhe për dokumentimin ligjor të akteve të kryera gjatë tubimit.
