Një ditë pas protestës së dhunshme në Tiranë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, ka ndarë një videomesazh kushtuar mjekëve të urgjencës. Me rastin e festave të nëntorit, ministrja ka falënderuar të gjithë ata që festat i kalojnë në krye të detyrës.

“Mirënjohje për të gjithë ata që i shërbejnë Shqipërisë, duke qenë në krye të detyrës, veçanërisht ekipeve mjekësore të shërbimit të urgjencës. Sepse forca e shtetit matet edhe me gatishmërinë dhe përkushtimin për të mbrojtur jetën e çdo qytetari”, shkruan Spahiu në Facebook.

Në videon që shoqëron postimin, ministrja ndalet te roli i mjekëve të urgjencës dhe përgjegjësia e shtetit ndaj qytetarëve.

“Shteti më i afërt që njeh njeriu është mjeku i urgjencës në tre të mëngjesit. Aty matet gatishmëria e vetë shtetit”, shprehet Spahiu.

Ministrja kujton se me buxhetin e vitit 2027, rreth 400 mjekë të urgjencës do të përfitojnë dyfishimin e pagesës së shërbimit të rojës, një masë e njoftuar më herët prej saj.

“Sot në ditën e madhe të shtetit shqiptar dua t’ju shpreh mirënjohjen time të gjithë atyre që janë në krye të detyrës. Por mirënjohja duhet të shprehet edhe me vendime konkrete. Në buxhetin e vitit 2027 kemi parashikuar dyfishimin e pagesës së shërbimit të rojës për rreth 400 mjekë të urgjencës. Shqipërinë e ndërtojmë çdo ditë, secili në detyrën e vet. Dhe bluzat e bardha e bëjnë këtë duke mbrojtur gjënë më të çmuar, jetën”, thotë ministrja.