Policia ka arrestuar 12 persona dhe ka proceduar penalisht 19 të tjerë pas akteve të dhunës gjatë një tubimi të mbajtur ditën e djeshme.

Sipas njoftimit të Policisë, gjatë tubimit protestuesit dyshohet se kanë kundërshtuar dhe sulmuar punonjësit e Policisë me sende të forta, mjete piroteknike dhe bomba molotov. Po ashtu, dyshohet se kanë bllokuar qarkullimin dhe kanë dëmtuar pronën publike.


Si pasojë e dhunës, 17 punonjës të Policisë kanë mbetur të lënduar.

Në kuadër të veprimeve hetimore, të zhvilluara nën drejtimin e Prokurorisë, janë arrestuar 12 persona, përfshirë gra dhe burra të moshave të ndryshme, ndërsa 19 persona të tjerë janë proceduar penalisht.

Policia ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në incidentet e dhunshme dhe për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme.

Të dyshuarit ngarkohen me disa vepra penale, përfshirë organizimin dhe pjesëmarrjen në tubime të paligjshme, prishjen e qetësisë publike, kundërshtimin e punonjësve të Policisë, pengimin e qarkullimit, shkatërrimin e pronës me zjarr dhe mbajtjen pa leje të armëve shpërthyese. /Telegrafi/