Tërmeti trondit Los Anxhelosin, mos e humbisni videon kur avioni i Delta Airlines ndërpret uljen në momentet e fundit! 'Kemi një tërmet të fortë'

Tërmeti trondit Los Anxhelosin, mos e humbisni videon kur avioni i Delta Airlines ndërpret uljen në momentet e fundit! 'Kemi një tërmet të fortë'

10:33, 29/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një moment dramatik është regjistruar të shtunën në Aeroportin Ndërkombëtar të Los Anxhelosit (LAX), kur një avion i kompanisë ajrore Delta Airlines u detyrua të ndërpriste uljen në momentet e fundit, pasi një tërmet me magnitudë 5.0 goditi brigjet e Kalifornisë Jugore.

Ngjarja është filmuar nga kamerat që transmetonin drejtpërdrejt aktivitetin në aeroport. Në pamje shihet avioni që po afrohej drejt pistës, ndërsa kamera fillon të dridhet fuqishëm nga lëkundjet sizmike. Në të njëjtën kohë, në sfond dëgjohen edhe alarmet e makinave që aktivizohen nga tërmeti.

Në regjistrimin audio të komunikimit mes kullës së kontrollit dhe ekuipazhit të fluturimit Delta 1972 dëgjohet kontrollori që jep disa herë urdhrin për të ndërprerë afrimin dhe për të rifilluar ngjitjen.

“Delta 1972, ndërprit uljen! Delta 1972, ndërprit uljen! Kemi një tërmet të fortë”, dëgjohet të thotë kontrollori.

Image

Piloti reagoi menjëherë, duke anuluar procedurën e uljes dhe duke ngritur sërish avionin në ajër. Kjo manovër, e njohur në aviacion si go-around, përdoret kur kushtet nuk lejojnë një ulje të sigurt dhe avioni duhet të fitojë lartësi për të realizuar një tjetër afrim.

Sipas raportimit të NewsNation, incidenti nuk përfshiu vetëm fluturimin Delta 1972. Edhe një avion tjetër i Delta Airlines, fluturimi 1628, i ardhur nga Seattle, ndërpreu në mënyrë parandaluese procedurën e uljes në aeroportin e Los Anxhelosit.

Zëdhënësi i kompanisë, Jess Merrill, konfirmoi se të dy avionët kryen manovrën e sigurisë dhe arritën të ulen pa probleme pak më vonë.

“Asgjë nuk është më e rëndësishme se siguria e punonjësve dhe klientëve tanë. Nga kujdesi maksimal, pas raportimeve për një tërmet në zonën e Los Anxhelosit, fluturimet Delta 1972 dhe Delta 1628 kryen manovra parandaluese për ndërprerjen e uljes gjatë afrimit drejt LAX. Të dy fluturimet u ulën të sigurta pak më vonë dhe operacionet në aeroport rifilluan normalisht, pa pasoja të qëndrueshme”, deklaroi Merrill.

Tërmeti goditi pranë Manhattan Beach, lëkundjet u ndjenë në të gjithë rajonin

Image

Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), tërmeti u regjistrua rreth orës 09:30 me orën lokale, mëngjesin e së shtunës, më 28 nëntor. Epiqendra ishte në Oqeanin Paqësor, rreth 5.5 kilometra në jugperëndim të Manhattan Beach, pranë Los Anxhelosit, në një thellësi prej afërsisht 12.8 kilometrash.

Lëkundjet u ndjenë në një zonë të gjerë të Kalifornisë Jugore. Sipas CNN, në Santa Monica qytetarët dolën me nxitim nga dyqanet, ndërsa brenda terminalit të Aeroportit Ndërkombëtar të Los Anxhelosit u raportua rënia e disa pllakave të tavanit.

Autoritetet e Los Anxhelosit aktivizuan procedurat e emergjencës. Departamenti i Zjarrfikësve (LAFD) dërgoi personel nga të 106 stacionet e tij në terren për të kontrolluar ndërtesat, infrastrukturën dhe zonat e ndryshme të qytetit.

Kryebashkiakja e Los Anxhelosit, Karen Bass, njoftoi se ekipet e emergjencës po monitoronin situatën dhe po vlerësonin ndikimin e tërmetit. Në raportimet fillestare nuk kishte të dhëna për dëme të mëdha strukturore apo persona të lënduar. Qendra Kombëtare e Paralajmërimit për Cunamet konfirmoi gjithashtu se nuk kishte rrezik për cunam nga ky tërmet.

Por lëkundjet nuk përfunduan me goditjen e parë. Sipas të dhënave sizmike, në minutat pasuese u regjistruan disa pasgoditje, ndërsa rreth orës 11:41 u shënua edhe një tjetër tërmet me magnitudë 4.5, po në zonën detare pranë Manhattan Beach.

Dy fluturimet u ulën të sigurta, aeroporti vijoi punën normalisht

Image

Kompania Delta Airlines konfirmoi se të dy avionët përfunduan me sukses uljen pas ndërprerjes parandaluese të afrimit. Nuk pati raportime për të lënduar mes pasagjerëve apo ekuipazheve, ndërsa aktiviteti në aeroport vijoi normalisht.

Sipas Associated Press (AP), tërmeti ishte më i forti që ka goditur rajonin e Los Anxhelosit që prej vitit 2014. Ai shkaktoi shqetësim të madh në zonat e banuara, veçanërisht gjatë fundjavës së festës së Falënderimeve, kur shumë qytetarë ndodheshin jashtë banesave.

Sizmologia Lucy Jones paralajmëroi se pasgoditjet mund të vazhdonin edhe në orët dhe ditët në vijim, megjithëse aktiviteti sizmik i regjistruar pas tërmetit konsiderohej brenda kufijve të pritshëm për një ngjarje të kësaj natyre.

Image

Pamjet e avionit që ndërpret uljen, ndërsa toka dhe kamera dridhen nga tërmeti, u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale dhe në mediat amerikane, duke dokumentuar një situatë të pazakontë, ku një ngjarje sizmike ndërhyri drejtpërdrejt në operacionet e trafikut ajror.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco