Numri i të lënduarve nga protesta e dhunshme e 28 Nëntorit në Tiranë ka shkuar në 61, sipas bilancit të përditësuar nga Ministria e Shëndetësisë. Mes të lënduarve janë 25 efektivë policie, 22 protestues, 6 gazetarë, 6 kalimtarë, një punonjës sigurie dhe një deputet.
Pesë prej të lënduarve vijojnë të jenë të shtruar në Spitalin Universitar të Traumës, konkretisht një efektiv policie, dy protestues, një gazetar dhe një kalimtar.
Ministria ka sqaruar edhe gjendjen e protestuesit që pësoi dëmtim në sy, duke bërë të ditur se ai ka pësuar kontuzion të globit okular dhe jo dëmtim nga prania e një trupi të huaj në sy. Ai vijon të ndiqet nga mjekët specialistë.
Në Spitalin e Traumës janë paraqitur për trajtim mjekësor gjithsej 50 persona, ndërsa në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kanë marrë ndihmë mjekësore 11 të lënduar, mes tyre edhe një deputet, identitetin e të cilit ministria nuk e ka bërë të ditur.
Me përjashtim të pesë pacientëve që vijojnë të marrin trajtim në Spitalin e Traumës, të gjithë të lënduarit e tjerë kanë lënë spitalet me këshillën e mjekëve.
Protesta kundër qeverisë Rama, e organizuar në ditën e 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, zgjati për më shumë se 10 orë dhe u shoqërua me episode të përsëritura dhune. Protestuesit hodhën molotovë dhe gurë në drejtim të forcave të rendit, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e turmës.
Gjatë protestës, një efektiv policie u përfshi nga flakët pas hedhjes së një molotovi, ndërsa përplasjet nuk kursyen as punonjësit e medias dhe kalimtarët.
Lajmi kryesor:
Sulmet me molotovë ndaj efektivëve në protestë, 13 në pranga, 18-vjeçari nën akuzë për tentativë vrasje ndaj policëve! 61 të lënduar (EMRAT+VIDEO)










Komente
Komento