Interi vazhdon ndjekjen e Lazios kryesuese në Serie A, duke marrë një fitore bindëse 4-0 ndaj Genoas në javën e 13-të të kampionatit. Pas suksesit në Champions League ndaj Shtutgartit, zikaltërit konfirmojnë formën e mirë, duke regjistruar një tjetër fitore të rëndësishme në shtëpi.
Edhe pse Genoa krijoi disa vështirësi në gjysmëorën e parë, kapiteni Lautaro Martinez zhbllokoi rezultatin në minutën e 29-të. Më pas, Thuram dyfishoi shifrat, ndërsa Sucic realizoi nga pika e bardhë në shtesën e pjesës së parë. Në minutën e 54-t, Thuram vulosi pokerin dhe dopietën e tij personale.
Interi konfirmon kështu dominimin në “San Siro”, ku ka regjistruar shtatë fitore në po kaq ndeshje këtë sezon. Me këtë sukses, skuadra e Chivut shkon në kuotën e 32 pikëve, tri më pak se Lazio kryesuese. Zikaltërit tashmë kanë përpara një kalendar të ngjeshur, me sfida të rëndësishme në kampionat, Champions League dhe Superkupën e Italisë.
