Shpejtësia mbi normat e lejuara, parakalimet e gabuara dhe drejtimi i automjetit në gjendje të dehur vijojnë të evidentohen në rrugët e Vlorës, ku vetëm gjatë javës së fundit policia ka vendosur 1553 gjoba, ka arrestuar katër drejtues mjetesh dhe ka proceduar penalisht katër të tjerë.

Nga kontrollet e kryera në akset rrugore të qarkut, 354 drejtues mjetesh janë gjobitur për tejkalim të shpejtësisë, ndërsa 83 të tjerë për parakalime të gabuara.

Mospërdorimi i kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e mjeteve me dy rrota mbetet gjithashtu ndër shkeljet më të shpeshta, me 153 gjoba në një javë.

Tre shoferë janë arrestuar pasi janë kapur duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, ndërsa një tjetër për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë. Mes personave të proceduar penalisht janë edhe tre drejtues mjetesh që qarkullonin pa patentë.

Policia ka gjobitur gjithashtu 51 drejtues automjetesh për xhamat e zinj, 41 për mospërdorim të rripit të sigurimit, 24 për përdorim të celularit në timon, 15 për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit dhe 14 për mungesë të siguracionit. Për shkelje të tjera të Kodit Rrugor janë vendosur 818 gjoba.

Krahas monitorimit të akseve rrugore dhe hyrje-daljeve të qarkut, policia ka shtuar praninë e efektivëve edhe pranë shkollave, veçanërisht në oraret e fillimit dhe përfundimit të mësimit, për të menaxhuar trafikun dhe për të garantuar sigurinë e nxënësve.