Forcat ukrainase kanë shkatërruar një bazë të njësisë elitare ruse të luftës me dronë, Rubicon, në Berdyansk, në rajonin e Zaporizhzhias, i cili ndodhet nën pushtimin rus. Sipas raportimeve, më shumë se 30 ushtarakë rusë janë vrarë dhe deri në 70 të tjerë janë plagosur.

Sipas njoftimit të Grupit të Forcave Jugore të Ukrainës, të publikuar më 28 nëntor, operacioni kishte në shënjestër bazën e përhershme të njësisë. Gjatë sulmit u shkatërruan një objekt për trajnimin e operatorëve të dronëve, hapësirat ku qëndronte personeli dhe depot e pajisjeve pa pilot.


Zyrtarët ushtarakë ukrainas konfirmuan gjithashtu se gjatë operacionit u goditën edhe pjesëtarë të shtabit komandues të Rubiconit, por nuk publikuan emrat apo gradat e tyre.

Pamjet e publikuara nga Grupi i Forcave Jugore tregojnë dronët ukrainas duke goditur ndërtesat që përdoreshin nga njësia ruse, transmeton Telegrafi.

Sipas dëshmitarëve të cituar nga ushtria ukrainase, shpërthimet e municioneve në objekt vazhduan për një kohë të gjatë pas sulmit.

Një numër i konsiderueshëm i ushtarakëve rusë të plagosur dyshohet se u dërguan në spitalin e Berdyanskut, ndërsa trupat e të vrarëve u transportuan në Mariupolin e pushtuar përkohësisht nga Rusia, sipas informacioneve paraprake.

Operacioni u planifikua nga qendra koordinuese për sistemet pa pilot të sulmit, në kuadër të Grupit të Forcave Jugore të Ukrainës.

Në sulm morën pjesë disa njësi ushtarake dhe të inteligjencës ukrainase, përfshirë grupin Harpy, Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme të Ukrainës, njësinë speciale Alpha të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, Regjimentin e 422-të të Veçantë të Sistemeve Pa Pilot “Luftwaffe” dhe Brigadën e 427-të të Veçantë të Sistemeve Pa Pilot “Raroh”.

Rubicon, i njohur zyrtarisht si Qendra e Rusisë për Teknologji të Avancuara Pa Pilot, është e specializuar në luftën me dronë dhe trajnimin e operatorëve të sistemeve pa pilot. /Telegrafi/

Shkatërrimi i bazës në Berdyansk goditi si infrastrukturën operative të njësisë, ashtu edhe kapacitetet e saj për të trajnuar ekipe të reja operatorësh.

Ndërkohë, më 28 nëntor, dronët ukrainas goditën edhe rafinerinë e naftës Novoshakhtinsk dhe qendrën më të madhe të depozitimit të naftës në Evropë, në rajonin rus të Samarës. Sulmet shkaktuan zjarre në të dy objektet dhe shënjestruan infrastrukturë të rëndësishme të industrisë ruse të naftës.