AKTUALITET

Nga xhepat e shqiptarëve drejt Ukrainës/ Si po përdor Iute paratë e kredive për zgjerimin e aktivitetit të saj

12:59 - 29.11.26 GSH Gazetar
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shqipëria vijon të jetë tregu më fitimprurës për grupin estonez të mikrofinancës Iute Group, me qytetarët shqiptarë që përbëjnë një burim të rëndësishëm të ardhurash për kompaninë, pavarësisht nivelit të lartë të interesave dhe rritjes së vonesave në shlyerjen e kredive.

Sipas pasqyrave financiare të paaudituara për nëntëmujorin e parë të vitit 2026, portofoli i kredive të Iute në Shqipëri ka arritur në 114.5 milionë euro, ndërsa norma mesatare e interesit është mbi 32%.

Të dhënat tregojnë se kompania ka siguruar në Shqipëri 37.4 milionë euro të ardhura gjatë nëntë muajve të parë të vitit, më shumë se në çdo treg tjetër ku operon. Ndërkohë, fitimi operativ (EBITDA) i aktivitetit në vend arriti në 17.7 milionë euro, duke përbërë 38.4% të fitimit operativ të gjithë grupit, i cili operon në pesë shtete.

Një pjesë e konsiderueshme e këtyre të ardhurave vjen nga interesat, të cilat në Shqipëri arritën në 28 milionë euro. Këto para kontribuojnë në financimin e aktivitetit të grupit, përfshirë edhe projektin për ngritjen e Iute Bank Ukraine, që pritet të nisë aktivitetin tregtar në fillim të vitit 2027.

Gjatë kësaj periudhe, Iute ka shpërndarë 120.9 milionë euro kredi të reja për klientët shqiptarë, duke miratuar 61.4% të aplikimeve. Kjo është norma më e lartë e miratimit brenda grupit.

Ndërkohë, pas ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë për kufizimin e komisioneve dhe uljen e normave maksimale të interesit, interesi mesatar vjetor i kompanisë ka zbritur nga 38.3% në vitin 2024 në 32.3% në vitin 2026. Kompania ka vijuar zgjerimin e aktivitetit përmes kredive me afate shlyerjeje deri në 60 muaj dhe vlera që arrijnë deri në 600 mijë lekë.

Megjithatë, rritja e kreditimit ka sjellë edhe vështirësi në arkëtimin e detyrimeve. Sipas të dhënave financiare, një numër kredish me vlera më të larta kanë kaluar në vonesë, duke bërë që çdo ditë të mbeten pa u paguar rreth 41 mijë euro këste në tregun shqiptar.

Si pasojë, fitimi operativ i filialit në Shqipëri ka shënuar rënie nga 18.2 milionë euro në 17.7 milionë euro.

Problemet me shlyerjen e kredive janë pranuar edhe nga drejtori ekzekutiv i Iute Group, Tarmo Sild. Në komunikimin e tij me investitorët, ai ka deklaruar se në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut kompania është zgjeruar me ritme të shpejta, duke dhënë kredi me vlera më të larta për klientët.

Sipas tij, disa prej këtyre kredive rezultuan me vonesa përpara se strukturat e arkëtimit të përshtateshin me situatën, duke rritur kostot për provigjionet.

Përballë kësaj situate, Iute ka nisur të shtrëngojë kriteret për dhënien e kredive, të riorganizojë strukturat e mbledhjes së detyrimeve dhe të ulë shpenzimet operative, përfshirë edhe kostot e stafit.

Ndërsa Shqipëria mbetet tregu me kontributin më të madh në të ardhurat e grupit, rritja e vonesave në pagesa po sinjalizon vështirësitë që shoqërojnë zgjerimin e kreditimit dhe kufijtë e aftësisë paguese të qytetarëve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.