Kryeministri Edi Rama, foli për zhvillimin urban të Tiranës dhe rritjen e vlerës së pronave, duke deklaruar se Shqipëria nuk po përballet me krizë në sektorin e ndërtimit. Gjatë podcastit “Flasim”, Rama kujtoi se në fillimet e tij si kryebashkiak, ndryshimet në kryeqytet nisën me lyerjen e fasadave, rregullimin e trotuareve dhe vendosjen e ndriçimit, ndërsa sot, sipas tij, Tirana ka mundësi të bashkëpunojë me arkitektët më të njohur ndërkombëtarë.
Ai përmendi edhe një projekt të Tiranës, të realizuar nga studioja Herzog & de Meuron, i cili sipas tij u vlerësua në Festivalin Botëror të Arkitekturës. Gjatë bisedës me Dritan Shakohoxhën, Rama hodhi poshtë pretendimet për krizë të ndërtimit, ndërsa theksoi se ligji i ri i strehimit përfshin mekanizma financiarë për të ndihmuar qytetarët që nuk kanë mundësi të blejnë një banesë.
Pjesë nga biseda:
Rama: Ata që blejnë në fillim, kur ka mbaruar objekti mund ta shesin më shtrenjt seç e blen. Kur prenoton një shtëpi e ke të sigurt se shet më shtrenjt në mbyllje të objektit. Akoma më shumë më pas dhe këtu lind edhe detyra jonë për ta balancuar këtë pjesë dhe për t’i dhënë mundësi të blejnë edhe ata që nuk kanë mundësi. Mund të thuash diçka për Real Estate në Tiranë, ku thonë se janë dhjetëra, qindra mijëra bosh, nuk ka njeri, nuk shiten?
Shakohoxha: Kjo është një gënjeshtër e madhe.
Rama: E di që është gënjeshtër, por na fol si ekspert i fushës.
Shakohoxha: Po, bëni një xhiro në zyrat e noterëve dhe nuk gjeni dot një noter që ka më pak se tre klientë brenda. Është bërë si berberët. Tregu ecën, njerëzit vrapojnë, vlera e pronës është rritur. Shumë e përdorin si kartë për të sulmuar, për të sharë vendin tonë. Ne këtë vend kemi, Shqipërinë, dhe duhet ta mbrojmë e përkëdhelim. Të gjithë thonë se është rritur prona dhe mbi 90% e shqiptarëve janë pronarë të një shtëpie.
Rama: Nëse unë mund të them se kam luajtur një rol në një gjë, kjo është rritja e vlerës së pronës në Tironë, që kur kam nisur punën si kryetar bashkie dhe nisa të pikturoj e rregulloj trotuaret, të vë drita, sepse që aty nis rritja e vlerës së pronës. Atëherë ato mundësi ishin, të bënim ndryshimin me bojë, tani është krijuar mundësia për të bërë ndryshimin me arkitektët më të mirë të botës. Para 2-3 ditësh fitoi në festivalin botëror të arkitekturës një projekt i Tiranës, i bërë nga Herzog & De Meuron. Ku i dilte ndonjëherë emri Tiranës dhe Shqipërisë për gjëra të bukura? Përtej kësaj, ai që është fakt, është se fatmirësisht nuk ka një krizë të ndërtimit në Shqipëri dhe Tiranë dhe me ligjin e ri të strehimit kemi futur disa komponentë të rinj financiarë që do të ndihmojnë ata që nuk arrijnë dot të bëjnë një shtëpi
