Hajdarmataj: Policia u kthye në militantë të pushtetit, sulmi ndaj gazetarëve në protestë ishte i qëllimshëm

12:48, 29/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në Syri TV, në emisionin me moderatore Eneida Ndocin, ishte drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Arben Hajdarmataj.

Fokusi i bisedës ishte dhuna joproporcionale e policisë ndaj protestuesve paqësorë dhe roli që duhet të ketë Policia e Shtetit në protesta të tilla qytetare.

“Këtu nuk kemi të bëjmë fare me proporcionalitet. Këtu kemi të bëjmë me dy palë. Në njërën anë janë qytetarët, në anën tjetër janë disa militantë, se ndoshta edhe termi banditë do t'u shkonte, që janë përballë qytetarëve. Në çkuptim e them militantë? Sepse nuk zbatojnë as rregulla, nuk zbatojnë asnjë ligj, nuk zbatojnë asnjë direktivë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbi të drejtat e protestave dhe të drejtat e liritë themelore të njeriut. Pra, nuk zbatojnë asnjë rregull. Qëllimi i tyre i vetëm është të mbrojnë me çdo kusht pushtetin dhe veten e tyre. Janë njerëz që nuk kanë fare lidhje me punonjësin e policisë... Media jep imazhin sikur qytetarët janë të dhunshëm dhe krijon konfuzion. Këtu kemi dy anë të medaljes, shkakun dhe pasojën. Shkaku është policia, pasi dje protestuesit paqësorë po shkonin drejt policisë dhe policia, pa asnjë lloj motivi e arsyeje, ndërhyri për t'i shpërndarë dhunshëm. Policia filloi duke u hedhur ujë, plumba gome pa kurrfarë sensi njerëzor, edhe pse ndodhi rasti i Vishkullit pak ditë më parë. Dhe rasti më i paprecedentë ishte, dhe i qëllimshëm mendoj unë, sulmi ndaj gazetarëve dhe operatorëve të medias, siç ishte rasti i gazetarëve dhe operatorit të Syri TV. Media është e identifikueshme në protestë, me logot në veshje. Kjo tregon që ishte e qëllimshme”, u shpreh Hajdarmataj.

Më tej, ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit theksoi se termi “shpërndarje e protestës” nuk duhet të ekzistojë, pasi sot protesta bëhet vetëm me njoftim. Edhe një qytetar i vetëm ka të drejtë të dalë para Kryeministrisë dhe të thërrasë për dorëheqjen e kryeministrit. Në këtë kontekst, ky term nuk duhet të ekzistojë.

Hajdarmataj vuri në dukje se kjo është një frymë urrejtjeje që buron që nga krerët më të lartë të Policisë së Shtetit, pasi në këtë mënyrë mbrojnë privilegjet e tyre. Ai përmendi gjithashtu lidhjet e policisë me krimin dhe evidentoi se dhuna ushtrohet për të mos humbur burimet e financimit nga krimi dhe mafia.

Një fakt tjetër i rëndësishëm që evidentoi Hajdarmataj ishte edhe mosverprimi i AMP-së, për të marrë masa ndaj policëve që dhunojnë qytetarët, si dhe mos fillimin e hetimeve nga prokuroria për dhunën.

"Këtu asnjë institucion nuk funksionon. Pse nuk nis hetime prokuroria që të shohe në cilin ligj bazohet sjelljet e efektivëve? Ku bazohen që ushtrojnë dhunë? Prandaj është e drejtë ajo që thonë protestuesit se nuk kanë besim në asnjë institucion, por rruga e vetme mbetet rezistenca, protestë, protestë",- tha ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco