Protestuesit kanë mbërritur para godinës së Kryeministrisë, pas marshimit të nisur nga sheshi “Skënderbej” në kuadër të protestës kombëtare të kësaj të diele në Tiranë.
Ndryshe nga tubimi i një dite më parë, këtë herë zona para Kryeministrisë nuk është rrethuar me efektivë policie, ndërsa të rinjtë janë afruar deri në dyert e godinës.
Në pamjet nga protesta shihen disa prej pjesëmarrësve që ngjiten në shkallët e hyrjes së Kryeministrisë. Mes tyre është edhe e moshuara që njihet si “Nëna e Revolucionit”, e cila ka vendosur stikera në dyert e godinës me mbishkrimin: “Rama jep dorëheqjen”.
Protestuesit vijojnë të qëndrojnë para Kryeministrisë, duke përcjellë mesazhet e tyre kundër qeverisë dhe duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.













