Me flamuj kuqezi e të tjera simbole kombëtare, sot në Tiranë po mbahet e dyta protestë kombëtare kundër qeverisë ku sërish kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, pas asaj të një dite më parë që u shënua nga akte dhune dhe u mbyll me 61 të lënduar e 14 të arrestuar.
Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, rreth orës 13:00, protestuesit marshuan duke iu drejtuar Kryeministrisë ku qëndrojnë të mbledhur.
Nuk raportohet për incidente, deri tani. Ndërkaq, dëgjohen thirrje si:
Dorëheqje! Poshtë diktatura!
Gjatë marshimit u hodhën mjete piroteknike, por pa shënjestruar forcat e rendit apo institucione, pra jo kërcënuese. Ndërkaq, blutë janë sërish në gatishmëri, me prani të shtuar në terren dhe kanë autobotet në gatishmëri. Policia ka krijuar kordon para selisë së qeverisë.
Kujtojmë se dje u arrestuan 14 vetë, 12 prej të cilëve gjatë tubimit, si edhe një 18 vjeçar për vrasje të punonjësit të policisë të mbetur në tentativë, i filmuar pranë ish-hotel “Dajtit” duke hedhur molotovë drejt efektivëve.
Në pranga ra edhe artistja vizuale, piktorja Fatime Paja, ndër të parat që iu bashkua protestës së flamingove, autore e grafiteve në mure të kryeqytetit. 29 vjeçarja u kap në një makinë tip “Fiat” me molotovë e fishekzjarre për protestën. Dy persona u shpallën në kërkim gjatë të njëjtit operacion në rrugën “Qemal Stafa”.
