14 vjetori i lirimit nga Haga të Haradinajt, ish-kryeministri: U vërtetua edhe pastërtia e luftës së UÇK-së

Ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar 14-vjetorin e lirimit nga Gjykata e Hagës, së bashku me bashkëluftëtarët Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj.
Përmes një postimi nw Facebook, Haradinaj ka rikujtuar vendimin e 29 nëntorit 2012, kur Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi i shpalli të tre të pafajshëm për të gjitha akuzat dhe urdhëroi lirimin e tyre të menjëhershëm.
“Liri për çlirimtarët! Rroftë UÇK-ja! Sot, 14 vjet më parë, u vërtetua pafajësia ime, e Lahi Brahimajt dhe e Idriz Balajt, si dhe pastërtia e luftës së UÇK-së”, ka shkruar Haradinaj.
Çështja gjyqësore ndaj tre ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nisi në vitin 2005, kur ndaj tyre u ngrit aktakuza për krime të pretenduara gjatë luftës në Kosovë, në zonën e Dukagjinit, shkruan Telegrafi.
Më 9 mars 2005, Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj u dorëzuan vullnetarisht dhe u transferuan në Hagë, pas ngritjes së aktakuzës nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi.
Më 3 prill 2008, Haradinaj dhe Balaj u shpallën të pafajshëm për të gjitha akuzat, ndërsa Brahimaj u dënua me gjashtë vjet burgim për torturë dhe trajtim mizor.
Më 21 korrik 2010, Dhoma e Apelit rrëzoi pjesërisht vendimin dhe urdhëroi rigjykimin e të treve për disa akuza që lidheshin me trajtimin e të burgosurve në objektin e UÇK-së në Jabllanicë.
Më 29 nëntor 2012, pas përfundimit të rigjykimit, Tribunali i Hagës i shpalli të tre të pafajshëm për të gjitha akuzat e shqyrtuara në këtë proces dhe urdhëroi lirimin e tyre të menjëhershëm./Telegrafi/



































