Real Madridi po përgatit një ankesë zyrtare ndaj kartonit të dytë të verdhë të Jude Bellinghamit, të cilin mesfushori anglez e mori në humbjen 2-1 ndaj Alavesit, pasi drejtuesit e klubit besojnë se një kënd tjetër i kamerave mund të dëshmojë se ndaj tij kishte kontakt.

Sipas raportimit të mediumit spanjoll AS, klubi madrilen është i pakënaqur me vendimin e gjyqtarit Cesar Soto Grado dhe po shqyrton mundësinë e paraqitjes së një ankese për ta kundërshtuar përjashtimin e yllit anglez.


Bellingham u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 88-të, pasi fillimisht ishte akorduar një penallti për Real Madridin, por pas rishikimit të situatës përmes sistemit VAR, gjyqtari e ndryshoi vendimin dhe e ndëshkoi mesfushorin për simulim.

Kartoni i parë i verdhë për anglezin kishte ardhur në minutën e 74-të, për shkak të protestave ndaj një vendimi të gjyqtarit.

Sipas pretendimeve të Real Madridit, gjyqtarit nuk i janë prezantuar pamjet më të qarta të aksionit, të cilat, sipas klubit, tregojnë kontaktin mes Bellinghamit dhe mbrojtësit të Alavesit.

Përjashtimi i tij pritet të sjellë një pezullim prej një ndeshjeje, që do të thotë se Bellingham rrezikon të mungojë në përballjen e së mërkurës ndaj Real Sociedadit, në kuadër të La Ligës.

Ankesa e Real Madridit do të përqendrohet pikërisht te kartoni i dytë i verdhë, me shpresën që vendimi për përjashtimin e mesfushorit anglez të rishqyrtohet. /Telegrafi/