Ka nisur grumbullimi i qytetarëve në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në kuadër të protestës së radhë të paralajmëruar për ditën e sotme.
Qytetarët po i bashkohen njëri pas tjetrit tubimit, ndërsa në shesh kanë nisur të valëviten flamujt kuqezi. Pritet që prej aty protestuesit të vijojnë marshimin në drejtim të institucioneve shtetërore.
Protesta e sotme vjen në vijim të tubimeve të zhvilluara gjatë javëve të fundit, ku qytetarë dhe aktivistë kanë dalë në rrugë për të kërkuar largimin e qeverisë së Edi Ramës dhe ndryshimin e situatës politike në vend.
Gjatë protestës së djeshme, qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, me flamuj kombëtarë, pankarta dhe banderola. Por situata u tensionua kur policia nuk lejoi grumbullimin e protestuesve përpara godinës së qeverisë.
Efektivët përdorën gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë me presion për të shpërndarë turmën, ndërsa protestuesit u kundërpërgjigjën me gurë dhe molotovë. Përplasjet vijuan në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas u zhvendosën në sheshin “Skënderbej”, ku policia përdori edhe dronë për hedhjen e gazit lotsjellës.
Në fund të protestës, policia ndërhyri edhe ndaj qytetarëve që kishin mbetur në sheshin “Skënderbej”, duke kryer shoqërime.
Numri i të lënduarve gjatë protestës së 28 Nëntorit arriti në 48 persona, mes tyre efektivë policie, protestues dhe gazetarë.
