Protesta e radhës në Tiranë, e cila po mbahet në Ditën e Çlirimit të Shqipërisë, është tensionuar para godinës së Kryeministrisë, ku protestuesit kanë hedhur fishekzjarrë, kapsolla dhe bomba molotov në drejtim të kordonit policor.

Protestuesit fillimisht janë mbledhur në sheshin “Skënderbej”, prej nga kanë nisur marshimin në drejtim të Kryeministrisë.


Situata është përshkallëzuar më pak se një orë pas nisjes së protestës, kur disa prej protestuesve kanë hedhur mjete piroteknike dhe bomba molotov në drejtim të policëve të vendosur para objektit të Qeverisë, raportojnë mediat lokale.

Si kundërpërgjigje, efektivët e policisë kanë përdorur gaz lotsjellës dhe spraj me piper për të shpërndarë turmën.

Pas përshkallëzimit të situatës, forcat e rendit kanë ndërhyrë për t'i larguar protestuesit nga bulevardi drejt trotuarit. Një pjesë e protestuesve është zmbrapsur në drejtim të Urës së Lanës, ndërsa kanë nisur edhe shoqërimet e para.

Gjatë ndërhyrjes policore, një qytetar ka marrë një plagë në kokë, ndërsa ka pretenduar se është goditur me plumb gome.

Sipas të dhënave nga strukturat spitalore, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur për ndihmë mjekësore gjithsej 50 persona. Prej tyre, 17 janë efektivë policie, 21 protestues, gjashtë gazetarë dhe gjashtë kalimtarë.

Ndërkohë, Policia e Tiranës ka arrestuar 12 persona dhe ka proceduar penalisht 19 të tjerë lidhur me aktet e dhunës gjatë protestës së një dite më parë. /Telegrafi/