
Situata para Kryeministrisë vijon të jetë e tensionuar, ndërsa përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë janë përshkallëzuar. Disa qytetarë kanë hedhur gurë në drejtim të efektivëve dhe autobotit të ujit, i cili u është përgjigjur me spërkatje me ujë për shpërndarjen e turmës.
Efektivët e policisë kanë vijuar përpjekjet për të larguar protestuesit nga zona, ndërsa kanë nisur edhe shoqërimet e qytetarëve. Në disa raste, persona të pranishëm në protestë janë përpjekur të ndërhyjnë për të nxjerrë protestuesit nga duart e efektivëve.
Përplasjet kanë shkaktuar edhe të lënduar, mes të cilëve raportohet se ka edhe fëmijë. Disa prej tyre kanë marrë ndihmën e parë nga protestues të tjerë, të cilët u kanë ardhur në ndihmë duke i asistuar dhe duke përdorur solucion fiziologjik.