Kryeministri Edi Rama ka kundërshtuar pretendimet se në Tiranë ka mijëra apartamente të pashitura dhe se sektori i ndërtimit po përballet me një krizë.

Në podcastin e kësaj të diele “Flasim”, Rama tha se rritja e vlerës së pronës në kryeqytet është një proces që ka nisur që në kohën kur ai drejtonte Bashkinë e Tiranës.

“Nëse unë mund të them se kam luajtur një rol në një gjë, kjo është rritja e vlerës së pronës në Tironë, që kur kam nisur punën si kryetar bashkie dhe nisa të pikturoj e rregulloj trotuaret, të vë drita, sepse që aty nis rritja e vlerës së pronës. Atëherë ato mundësi ishin, të bënim ndryshimin me bojë, tani është krijuar mundësia për të bërë ndryshimin me arkitektët më të mirë të botës”, tha Rama.

Kryeministri solli si shembull edhe projektin e Tiranës të realizuar nga studioja Herzog & de Meuron, që pak ditë më parë fitoi në Festivalin Botëror të Arkitekturës.

Rama garantoi se krahas rritjes së vlerës së pronës, qeveria duhet të krijojë mundësi edhe për ata qytetarë që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të blerë një banesë.

“Ata që blejnë në fillim, kur ka mbaruar objekti mund ta shesin më shtrenjt seç e blen. Kur prenoton një shtëpi e ke të sigurt se shet më shtrenjt në mbyllje të objektit. Akoma më shumë më pas dhe këtu lind edhe detyra jonë për ta balancuar këtë pjesë dhe për t’i dhënë mundësi të blejnë edhe ata që nuk kanë mundësi”, u shpreh kryeministri.

Për këtë, Rama tha se në ligjin e ri të strehimit janë përfshirë instrumente të reja financiare.

“Fatmirësisht nuk ka një krizë të ndërtimit në Shqipëri dhe Tiranë dhe me ligjin e ri të strehimit kemi futur disa komponentë të rinj financiarë që do të ndihmojnë ata që nuk arrijnë dot të bëjnë një shtëpi”, deklaroi Rama.

Ndryshimet në ligjin “Për strehimin social”, të miratuara këtë muaj në Kuvend, zgjerojnë mbështetjen financiare përtej shtresave në nevojë, duke përfshirë edhe shtresën e mesme, çiftet e reja, studentët, profesionistët në fillim të karrierës dhe emigrantët që rikthehen në Shqipëri.

Ligji parashikon kredi me interes zero për banesa me vlerë deri në 60 mijë euro, kredi me interes 3% për banesa me vlerë deri në 200 mijë euro, si dhe subvencionimin nga shteti deri në 50% të qirasë. Një tjetër risi është garancia shtetërore për të lehtësuar financimin e plotë të blerjes së banesës nga bankat, për qytetarët që nuk disponojnë shumën e nevojshme për parapagimin.

Për vitin 2027, qeveria ka parashikuar dhënien e 2 mijë kredive me interes zero, 2 mijë kredive me interes 3% dhe subvencionimin e qirasë për 3 mijë apartamente. Tavani i të ardhurave mujore të çifteve për skemën e kredive është prezantuar në nivelin e 280 mijë lekëve.

Ligji parashikon gjithashtu ndërtimin e banesave në tokat publike sipas formulës 30-40-30, ku 30% e apartamenteve do të shërbejnë për strehim social me qira, 40% do të jenë banesa me kosto të ulët dhe 30% do të shiten në tregun e lirë. Të ardhurat nga këto të fundit do të kalojnë në Fondin e Strehimit për financimin e ndërtimeve të tjera.